Zëvendëskryeministri i Rumanisë, Dragoș Anastasiu, ka dhënë dorëheqjen këtë të dielë, më 27 korrik, pasi një skandal i vjetër korrupsioni, në të cilin ai ishte përfshirë si dëshmitar, doli sërish në dritë në një moment kur qeveria e re, vetëm njëmuajshe, po përpiqet të zbatojë reforma për uljen e shpenzimeve.
Siç shkruan Reuters, Anastasiu ishte ngarkuar nga kryeministri Ilie Bolojan për të mbikëqyrur reformimin e ndërmarrjeve shtetërore, pjesë e një përpjekjeje për të ulur deficitin më të lartë buxhetor në Bashkimin Evropian dhe për të luftuar shpërdorimin e fondeve dhe paaftësinë menaxheriale.
Javën e kaluar, një çështje e vjetër korrupsioni zbuloi se një nga kompanitë e Anastasiu-t ishte shantazhuar nga një inspektor i administratës tatimore për të paguar ryshfet, të maskuar si tarifa konsulence, për një periudhë prej tetë vitesh që nga viti 2009, përndryshe do të përballej me inspektime të gjata dhe të lodhshme.
Kompania më vonë e denoncoi inspektorin, i cili u dënua në vitin 2023. Anastasiu dhe partneri i tij në biznes nuk u akuzuan kurrë për ndonjë vepër penale.
Anastasiu deklaroi se kompania e tij kishte paguar të gjitha taksat dhe se ryshfetet ishin dhënë “për mbijetesë, jo për fitim”.
“Inkurajoj çdo sipërmarrës të flasë dhe të tregojë se në çfarë kushtesh është bërë biznes në Rumani dhe të mos pranojë më atë që ne kemi pranuar dikur duke bërë gabime,” u tha ai gazetarëve të dielën.


