Emigrantët e strehuar në kampet me çadra në Slloveni u kanë vënë zjarrin tendave në shenjë proteste ndaj mënyrës së trajtimit të tyre.
Ata e ndërmorën veprimin e tyre në kampin në Brezicë, për të protestuar ndaj procesit të ngadaltë të regjistrimit dhe dërgimin e tyre në kufirin austriak.
Ata gjithashtu janë ankuar për mungesë ushqimi, uji dhe batanijesh në kamp.
Mijëra emigrantë vazhdojnë të vërshojnë përmes shtigjeve të vendeve të Ballkanit perëndimor, arsye për të cilën liderët e tyre janë thirrur në një takim të posaçëm të BE-së.
Komisioni Evropian deklaroi se presidenti Jean Claude Juncker e ka thirrur takimin, “pasi nevojitet një bashkëpunim më i madh, konsultime më të gjera dhe ndërhyrje operacionale imediate për t’u përballur me këtë emergjencë”.
Javën e kaluar Hungaria mbylli kufijtë e saj me Kroacinë dhe Serbinë dhe refuzoi të lejonte hyrjen e më shumë emigrantëve për arsye sigurie. Për pasojë, refugjatët kanë devijuar drejtimin për në Slloveni, për të arritur më pas vendet e Evropës perëndimore.
Nga ana e saj, qeveria në Lubjanë ka deklaruar se është tejmbushur nga rreth 20 mijë emigrantë që kanë mbërritur që prej së premtes dhe se mund të pranojë vetëm 2.500 emigrantë në ditë.