Ushtari ukrainas që njihet me pseudonimin Krasivyi ka kaluar 11 orë në një pritë për të vrarë një oficer rus.
Bëhet fjalë për ushtarin, historia e të cilit u tregua nga Shërbimi Shtetëror i Rojës Kufitare të Ukrainës, shkruajnë mediat e huaja.
Ai iu bashkua ushtrisë pothuajse që në ditët e para të pushtimit të plotë të Rusisë.
Ai mori pseudonimin Krasivyi në ditën e tij të parë në Shërbimin Shtetëror të Rojës Kufitare dhe e përdor prej më shumë se 20 muajsh.
Krasivyi fitoi aftësitë dhe përvojën e tij luftarake në pozicionet luftarake pranë Mariinka, Pisky dhe Lyman.
Gjatë kësaj kohe, ai studioi tërësisht sjelljen e rusëve në vende të ndryshme.
“Paniku i armikut ndihej në përgjimet e radios, ku thoshin, bashkë me sharje: “Të gjithë mbulohuni, snajperi është në aksion!”, theksoi Shërbimi Shtetëror i Kufirit.
Krasivyi qëlloi drejt mitralozëve dhe sinjalizuesve rusë, dhe për kohën më të gjatë, atij iu desh të gjurmonte një oficer rus.
Pushtuesit ishin në rotacion në atë kohë dhe Krasivyi duhej të përcaktonte se cili prej tyre ishte komandanti.
“Pas 11 orësh vëzhgimi, arrita të godisja objektivin me goditjen e parë”, thotë Krasivyi.
Roja kufitare ka dy pushkë në arsenalin e tij: e para ishte një UAR-10 e prodhimit vendas, që është projektuar për të vrarë njerëz. Tjetra është një pushkë Desert Tech HTI e prodhuar në SHBA, e cila përshtatet më mirë kur bëhet fjalë për shkatërrimin e automjeteve të blinduara.
Krasivyi tha gjithashtu se shpesh i duhet të punojë në kushte ekstreme. Megjithatë, ai është përshtatur me veçoritë e natyrës gjatë luftës.
Vapa, shiu, bora dhe ngrica nuk e shqetësojnë; ai mund të shtrihet në tokë për orë të tëra, duke vëzhguar dhe duke pritur për një objektiv.