Na ishin ngritur përhënë dhe po na tregonin për peshën dhe rëndësinë e Institucionit, për domethënien dhe rolin e BFI-së në shoqëri. Kishin drejtuar kërkesë edhe ndaj “gojëkëqinjëve” që mos të flasin kundër BFI-së, sepse kështu po u treguaka angazhimi për rrënimin e këtij Institucioni! Kush, në fakt, po e rrënon BFI-në?
Nga Blerim Kodra
Kur nuk i dalin hesapet hanxhisë, fajtori kërkohet në tërë katundin! Sapo kanë parë që të hyrat në BFI, që kryesisht vijnë gjatë muajit të Ramazanit, as për së afërmi nuk i kënaqin orekset e çartura të Shaqir Fetait dhe të honxho-bonxhove të tij, nisin dhe mbajnë “ders” me qëllim të “vetëdijësimit” të atyreve që mëtojnë ta rrënojnë BFI-në!!! Po kush në fakt po e mëton këtë aktivitet ogurzi? Është hedhje hi syve nëse këtë rrënues do ta kërkojnë gjetiu dhe jo brenda radhëve të veta të kësaj kaste prej kazmaxhinjëve. Pra, rrënuesit janë brenda Institucionit! Ata nuk i kanë marrur kazmat në dorë për ta rrënuar, sepse, ka mjete e metoda nga më të ndryshmet dhe më të palodhshme!
Kritika nuk është veprimtari shkatërruese! Kritika mund ta nxijë karrierën e pistë, por jo ta rrënojë Institucionin! Sugjerimet për një reformë, për një profesionalizëm, për një transparencë, për një debat në korniza të normave islame, kërkesa per respektim të Kushtetutës së BFI-së, sugjerimet për lëvizje drejt urës që të nxjerr në bregun e normalitetit, të gjitha këto nuk janë aktivitete shkatërrimtare!
Gjithësesi, ka edhe veprimtari që bien ndesh normave islame, ka aktivitete që nuk janë në dobi të komunitetit si dhe të Institucionit islam, ka angazhime të qëllimshme për të dëmtuar financat e BFI-së, porse, të gjitha këto bëhen me miratimin e Shaqir Fetait që vjen përmes heshtjes makabre të tij.
Po pse të hyrat e sivjeme janë skandaloze në përshtypjet e Shaqir Fetait? Pse e aktron avdallin dhe bëhet sikur nuk po kupton gjë se çfarë po ndodhë? Pse mundohet ta drejtojë gishtin e pistë në drejtim të kritikuesve objektiv ndërsa i fsheh nën sqetulla hajnat, grabitqarët, matrapazët dhe manipulantët që i sillen si mizat në fundbishtin e kalit?
Kush po ia shkatërron unitetin e komunitetit si dhe të Institucionit dhe të organeve të tij nëse jo vetë Shaqir Fetai? Kush ia ndau Myftininë e Tetovës? Kritikuesit dhe insistuesit për reforma gjithëpërfshirëse në BFI apo vetë Shaqir Fetai i kompleksuar? Kush po ia shton pakënaqësitë nëpër myftini ku ka plotë xhemate që kanë ngrirë çfarëdo bashkëpunimi me myftinitë e BFI-në? Kush ishte fajtori që ia ndaloi për dy vite rresht Shaqir Fetait të fliste për Fakultetin e Shkencave Islame si dhe për Medresenë “Isa Beu”? Kush e rrejti opinionin e gjërë se u akreditua Medreseja “Isa Beu”, ndërkohë që ajo tradicionalja na qenka shuar dhe regjistruar një e re e cila nuk merret me prodhimin e hoxhallarëve?
Veç kësaj, le t’i nënvizojmë këtu edhe fajtorët e jashtëm që promovohen nga vetë Shaqir Fetai! A e di Shaqir Fetai se sa bashkësi fetare islame dhe sa grupe religjioze “islame” janë regjistruar nga organet gjegjëse shtetërore? A e di Shaqir Fetai se drejtues të këtyre “bashkësive islame” kanë ligjeruar në dhjetra xhami te Shkupit, Kumanovës etj. A e di Shaqir Fetai se cili është xhemati si dhe numri i tyre që aderojnë nëpër këta “bashkësi fetare” dhe nëpër këta “grupe religjioze”! A e di Shaqir Fetai se ky lloj xhemati, kontributet dhe anëtarësinë e vet e jep në BFI apo nëpër “institucionet” e veta të cilat janë regjistruar, zhvilluar dhe faktorizuar me heshtjen miratuese të Shaqir Fetait që llogaritet kontribut institucional për këtë shkarje dhe ndarje të gjithanshme të trungut të ummetit të vendit! A e di Shaqir Fetai se sa xhami private po ndërtohen në territorin e Maqedonisë së Veriut? Bëhet fjalë për xhami për të cilat nuk do të jetë pronar BFI-ja por këto “bashkësi” dhe grupe religjioze të shtetit, të cilët nuk i sheh Shaqir Fetai dhe që nuk i llogarit për problem? A di Shaqir Fetai se sa imamë te ktyre xhamive private kanë prezentuar nëpër emisioni “fetare” të mediave të vendit?
A e di Shaqir Fetai se sa fitri, sa zeqati, sa kontributi vullnetar është derdhur në xhirollogaritë e këtyre “bashkësive fetare” dhe “grupeve religjioze” për ndërtimin e faltoreve të tyre?
A e di Shaqir Fetai se pse miliona euro po derdhen në xhirollogarinë e Elvis Naçit, të Halil Kastratit si dhe të humanistëve të ndryshëm të denjë dhe jo në zërin e buxhetit të BFI-së dedikuar “humanitetit”?
Hë pra, a është dëgjuar një shqetësim i Shaqir Fetait për këtë kazmë që i ka hyrë në themel BFI-së që kur u instalua ky farë mahluku në krye të saj? Po del puna që, instalimi i Shaqir Fetait në krye të Institucionit ka qenë marrëveshje me instaluesit: ne të instalojmë por ti do të heshtës dhe në heshtje do të miratoshë planin tonë shkatërrimtarë! Prandaj gjithnjë e më shumë thuhet që Shaqir Fetait ia kanë zënë bishtin me derë dhe se gjithnjë e më keq do të venë punët, ndërkohë që fajtorin do ta kërkojë te kritikuesit e tij të sinqertë! Sepse, si thonë gratë haxhuze – ma mbajë kopilin sa nuk më ka ngelur në dorë!
Tërë BFI-ja ishte në gjumë përgjatë këtij Muaji, zgjoheshin vetëm kur kishte ndonjë iftar, ndonjë “aktivitet” në terren sa për të marrur mëditje! Pati edhe prej atyreve që i lëshuan në terren në mesin e diasporës sa për t’i shpërblyer për lojalitet dhe jo për të bërë ndonjë aktivitet efikas nga ai terren, sepse, ata grumbullojnë financa për institucionet e tyre fetare që i kanë themeluar dhe regjistruar në shtetet gjegjëse dhe jo për nevojat e honxho-bonxhove të Shaqir Fetait!
Janë një mori vrimash prej nga “ju rrjedh” edhe ai pak buxhet që krijohet nga kontributet e myslimanëve të ngratë të vendit? Tani për në haxh që është me çmimin fantomik dhe më të shtrebnjtë në rajon, do të shpërblehen një numër i konsiderueshëm i “myhybëve” të Shaqir Fetait, ndërkohë që proceset gjyqësore, me dhjetra të tillë, si dhe avokatë familjar të Shaqir Fetait, do të thithin financa nga BFI-ja si nepërkat, në vend se të eliminohen gjykimet e shtrenjta dhe mosmarrëvesjet të zgjidhen nga trupat institucional të formuara prej teologëve me autoritet dhe ndikim në vend. Apo i ka lënë edhe ata pa autoritet e ndikim duke ua kërkuar përkrahjen në veprimtarinë e tij shkatërruese, devalvuese dhe të hajnisë?! Ua ka marrur edhe atë pak autoritet që e kishin, sepse tashmë i identifikon me personalitetin e vet prej huti dhe, tashmë, sa herë që kritikohet Shaqir Fetai aq herë duhet të ndjehen të kritikuar të gjithë autoritetet fetare të vendit! A ka finokëri më shkatërruese se kjo e Shaqir Fetait?