31-vjeçari rimerret në pyetje në Spitalin e Traumës
Prokuroria dhe Policia e Tiranës kanë rimarrë në pyetje, 31-vjeçarin Gert Shehu i cili goditi me grusht kreun e PD, Sali Berisha.
Ashtu si dy ditë më parë, dhe këtë herë deklarimet i janë marrë të riut në ambientet e Spitalit të Traumës, ku vijon të jetë nën kujdesin e bluzave të bardha.
Pavarësisht këmbënguljes së hetuesve për të kuptuar arsyet që shtynë 31-vjeçarin për të kryer atë akt të paprecedentë, i riu nuk ka shfaqur pendesë për veprimin, si dhe ka vijuar të japë qëndrime kontradiktore.
Prokuroria ka kërkuar administrimin e kartelës mjekësore të Shehut për të parë të gjithë historikun shëndetësore të të riut.
Ndaj tij aktualisht rëndojnë dy akuza, konkretisht ‘Goditje për shkak të detyrës’ dhe ‘Plagosje me dashje’, për të cilat organi akuzës pritet të kërkojë masën e sigurimit ‘arrest me burg’.