Jashtë shkollës “Felix Rodriguez de la Fuente”, fëmijët me maska ulen përpara një dërrase të zezë portative në rreshtat e tavolinave të gjelbra të vendosura mjeshtërisht në brigjet me rërë të Playa de los Nietos (Plazhi i nipërve).
“Është më e sigurt dhe fëmijët po argëtohen shumë. Atë që ata mësojnë këtu nuk e harrojnë”, tha mësuesi i anglishtes, Juan Francisco Martinez.
Disa nxënës zbathur lëviznin gishtërinjtë e tyre në rërë teksa luanin, ndërsa të tjerët u përkulën mbi librat e tyre të punës për të parandaluar flladin të mos ua frynte letrat në det.
Mësimet janë pjesë e një projekti më të gjerë të njohur si Ajri i Freskët, i cili synon të krijojë cilësi më të mirë të ajrit për fëmijët gjatë pandemisë COVID-19, përfshirë përmes të mësuarit në ajër të hapur.
Mësuesit fillojnë përgatitjen e plazhit në orën tetë të mëngjesit. Tetë klasa marrin pjesë në mësimet 20-minutëshe dhe grupet ndërrohen nëpër zona të ndryshme.
Fëmijët në shkollë janë të moshës 3 deri në 12 vjeç dhe qëndrojnë në flluskat e tyre të klasës. Deri më tani nuk ka pasur raste të raportuara të infektimit me koronavirus.
“Më pëlqen te shkoj në plazh”, tha nxënësi nëntëvjeçar Antonio Fernandez. “Preferoj të jem në plazh sepse ndihem më i relaksuar dhe më komod”.