Organizatat që po punojnë për të zhvilluar një vaksinë në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada janë vënë nën shënjestrën e spiunëve rusë.
Qendra Kombëtare për Siguri Kibernetike në Mbretërinë e Bashkuar tha se është pothuajse e sigurt që hakerat po operojnë si pjesë e shërbimeve inteligjente ruse.
Në raportin britanik, nuk specifikohej se cila organizatë ishte shënjestruar ose nëse ishte vjedhur ndonjë informacion. Sipas raportit, puna për kërkimin e vaksinës nuk është penguar nga hakerat.
Megjithatë Rusia ka mohuar të jetë përgjegjëse për këto raste.
“Ne nuk kemi informacion se kush mund të ketë hakuar në kompani farmaceutike dhe qendra kërkimin në Britaninë e Madhe. Një gjë e themi me siguri, Rusia nuk ka të bëjë fare me këto përpjekje”, tha Dmitry Peskov, një zëdhënës i Presidentit Vladimir Putin.
Mirëpo shqetësimi nuk është ngritur vetëm nga Britania, por edhe nga Institucioni kanadez për Komunikim dhe Siguri, Departamenti i SHBA-ve për Homeland Security dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare amerikane.
Një ekspert tha se me gjithë mohimet, Rusia është përfshirë në këto raste. Sipas tij, grupi i përfshirë në këtë sulm identifikohet me emrin “Cozy Bear” dhe njihet për shkak të lidhjeve që ka me shtetin rus.