Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi kundër përpjekjeve “për të ndarë Evropën nga Amerika Veriore” dhe tha se Bashkimi Evropian “nuk mund ta mbrojë kontinentin i vetëm”, përballë kërcënimit të terrorizmit dhe “sjelljes destabilizuese” të Rusisë.
“Çdo përpjekje për të ndarë Evropën nga Amerika Veriore jo vetëm që do ta dobësojë NATO-n, por do ta ndajë edhe Evropën”, tha Soltenberg në një fjalim në Kolegjin e Evropës, në Belgjikë.
“Unë nuk besoj në Evropën vetëm, as në Amerikën Veriore vetëm. Unë besoj në Amerikën Veriore dhe në Evropën bashkë, në NATO, në solidaritet strategjik. Pavarësisht sfidave me të cilat përballemi, bashkë jemi më të fortë”, tha Stoltenberg.
Në një intervistë të veçantë për AFP-në, ai tha se i mirëpret përpjekjet e Brukselit për të rritur shpenzimet dhe për të modernizuar industrinë e mbrojtjes, por tha se është skeptik ndaj thirrjeve që Evropa të zhvillojë “autonomi strategjike”, të llojit që po nxit presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
“Unë i mbështes përpjekjet e BE-së për mbrojtjen, sepse më shumë shpenzime në mbrojtje, aftësitë e reja ushtarake dhe adresimi i copëzimit të industrisë evropiane të mbrojtjes – të gjitha këto do të jenë mirë për sigurinë evropiane, për sigurinë transatlantike, për të gjithë ne”, tha Stoltenberg për AFP-në.
“Pra, të gjitha këto përpjekje – për sa kohë që e plotësojnë NATO-n – ne i mirëpresim, por BE-ja nuk mund ta mbrojë Evropën”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Stoltenberg tha se lidhja e fortë transatlantike është “themeli” i sigurisë së Evropës.
“Për më shumë se 70 vjet, NATO e ka mishëruar këtë marrëdhënie unike. Aleanca jonë është i vetmi vend që bashkon Amerikën e Veriut dhe Evropën çdo ditë, për të diskutuar sfidat e përbashkëta të sigurisë”, tha Stoltenberg.
“Më shumë se 90 për qind e njerëzve në Bashkimin Evropian jetojnë në një vend të NATO-s. Por, vetëm 20 për qind e shpenzimeve të mbrojtjes vijnë nga anëtarët e BE-së në NATO”, shtoi ai.
Presidenti i mëparshëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka tensionuar marrëdhëniet me anëtarët evropianë të NATO-s, duke pretenduar se ata nuk kontribuojnë sa duhet në mbrojtjen e tyre. Trump, disa herë, e ka vënë në dyshim edhe rëndësinë e aleancës ushtarake.
Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me aleatët e NATO-s dhe shihet si partner shumë më miqësor i Evropës.
Megjithatë, edhe Biden ka theksuar nevojën që Evropa t’i përmbushë zotimet për shpenzime. Ai pritet të marrë pjesë në një samit të udhëheqësve të vendeve të NATO-s më vonë këtë vit.
Stoltenberg foli edhe për rëndësinë e ripërtërirë të NATO-s përballë, siç tha, “formave brutale të terrorizmit” dhe “sjelljes destabilizuese” të Rusisë.
“Përmes Koalicionit Global, të udhëhequr nga SHBA-ja, për mposhtjen e Shtetit Islamik (grup militant), ne kemi ndihmuar në çlirimin e territoreve dhe miliona njerëzve në Irak dhe Siri”, tha shefi i NATO-s.
“Pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014, NATO-ja ka bërë përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive në një brez, duke vendosur trupa të gatshme për luftime në lindje të aleancës, për të parandaluar çdo agresion”, tha Stoltenberg.
“Kjo përpjekje për t’i rishkruar kufijtë me forcë, siç e kemi parë në Ukrainë dhe Krime, ka ndodhur vetëm disa vite më parë”, duke e bërë “shumë reale” nevojën për të parandaluar konfliktin dhe për të mbrojtur Evropën, tha ai./REL