Suedia dhe Finlanda kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesat e tyre për t’u bashkuar me NATO-n mëngjesin e kësaj të mërkure. Sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg e cilësoi këtë “një moment historik, të cilin duhet ta shfrytëzojmë”, duke shtuar se anëtarësimi i vendeve nordike do të rriste sigurinë e përbashkët.
Udhëheqësit e të dy vendeve njoftuan synimin e tyre për të aplikuar për anëtarësim në aleancën e mbrojtjes të dielën, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës. Parlamenti suedez votoi pro të hënën. Finlanda bëri të njëjtën gjë dje.
Finlanda ndan një kufi të gjatë tokësor dhe detar me Rusinë. Si ajo ashtu edhe Suedia fqinje mbetën neutrale gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, kështu që aplikimet e tyre për t’u bashkuar me NATO-n shënojnë një ndryshim të rëndësishëm në qëndrim.
Procesi pritet të zgjasë vetëm disa javë, por do të kërkojë mbështetjen e të 30 anëtarëve, ratifikimi i të cilit mund të zgjasë deri në një vit. Qeveria turke ka shprehur kundërshtim.
Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson do të takohen nesër në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e SHBA Joe Biden për të diskutuar disa tema, përfshirë aplikimin në NATO, sigurinë evropiane dhe mbështetjen për Ukrainën.