Më shumë se 900 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike ndërsa mijëra fluturime u anuluan për shkak të stuhisë së borës në SHBA. Një pjesë e madhe e Shteteve të Bashkuara veriore nga Washingtoni deri në New England janë nën paralajmërim pasi trashësia e borës mund të arrijë në më shumë se 1 metër. Një zjarrfikës mbeti i vdekur në periferi të Grand Rapids, Michigan pasi ra në kontakt me një linjë elektrike.
Illinois, Indiana, Michigan, New York dhe Wisconsin gjithashtu janë të goditur nga stuhia e borës. Më shumë se 2,000 fluturime u anuluan për shkak të motit të keq, ndërsa një pjesë e madhe e rrugëve janë bërë të pakalueshme për shoferët.
Autoritetet janë shprehur se udhëtimi mund të bëhet i rrezikshëm pasi autostradat kanë prani të madhe të akullit. Në Minneapolis situata është më e rëndë ku dëbora ka arritur në 2 metër dhe 1.9 milionë njerëz u është bërë thirrje që të qëndrojnë në shtëpi. Pamjet video dhe fotografitë në mediat sociale tregojnë makina të përmbysura për shkak të ngricave në rrugë.
Shkollat në Minneapolis kanë anuluar mësimin dhe më shumë se 29,000 nxënës do të zhvillojnë mësimin online deri në javën tjetër. Dhjetëra rrethe shkollore anuluan gjithashtu mësimet në Dakotën Veriore dhe Jugore, Kolorado, Michigan dhe Wyoming. Në Ann Arbor, Michigan, pothuajse 20,000 shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike.
Reshje të mëdha shiu, përveç borës së madhe, priten në Kaliforni, duke përfshirë pjesët jugore të shtetit. Meteorologët e Shërbimit Kombëtar të Motit thonë se reshjet e dendura të dëborës do të jenë prezente në Perëndim për t’iu drejtuar javën e ardhshme jugut të Kalifornisë.
Nga ana tjetër disa zona të Luginës së Ohio dhe jugu po shohin temperatura të larta të cilat do të vazhdojnë përgjatë gjithë fundjavës. Orlando dhe Jacksonville në Florida gjithashtu mund të regjistrojnë temperatura mbi 35 gradë Celsius.