Stuhia Elsa ka pushtuar gadishullin iberik, Italinë dhe Francën jugore duke lënë pas 6 viktima si dhe dëme të pallogaritshme materiale. Mijëra njerëz janë evakuuar, në disa zona ka patur probleme me furnizimin e energjisë elektrike ndërsa erërat e forta, shirat e dendur dhe përmbytjet kanë shkaktuar një situatë kaotike.
Stuhia Elsa goditi Europën Jugore ditën e mërkurë përpara se të shtohej në intensitet këtë fundjavë. Meteorologët parashikojnë se ajo do të pasohet nga një stuhi e dytë, e quajtur Fabien.
Një burrë vdiq kur shtëpia e tij u rrëzua në Portugalinë veriore të enjten, ndërsa një tjetër u shtyp në kamionin e tij nga një pemë në rënie afër Lisbonës. Tre të tjerë vdiqën në Spanjë të enjten dhe të premten. Ndërsa viktima e gjashtë u regjistrua sot në Italinë fqinje.
Në rajonin e Ligurias është aktivizuar alarmi i kuq, i treti në më pak se dy muaj ndërsa pjesa më e madhe e vendit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Rrëshqitjet e dheut, rrëzimi i pemëve dhe rrtija e nivelit të ujit rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Situata paraqitet alarmante edhe në Venezia ku pritet një tjetër përmbyjtje. Kryeministri Giuseppe Conte ka bërë të ditur se një fond prej 530 milionë eurosh do të aplikohet menjëherë aty ku situata ëhstë më kritike.Stuhia Fabien pritet të shkaktojë shpejtësi edhe më të larta të erës dhe të krijojë më shumë dëme në Europën Jugore gjatë fundjavës.