I gjithë vendi u përfshi nga stuhia këtë të shtunë, me erëra të forta dhe reshje të dendura në disa qarqe. Në Tiranë, Durrës, Vlorë e Lezhë, u shënuan dëme materiale, probleme në qarkullim, rrugë të përmbytura e mungesë energjie.
Në kryeqytet u raportua për disa qytetarë të lënduar, të cilët janë paraqitur në spital me dëmtime për shkak të stuhisë. Burime për gazetaren bëjnë të ditur se të paktën 23 persona kanë shkuar për ndihmë mjekësore, e 4 prej tyre janë të shtruar.
Moti i keq solli vonesa edhe në fluturimet e avionëve. Me qëllim garantimin e sigurisë së udhëtarëve, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, TIA, pezulloi operacionet në pistë për rreth 30 minuta fluturimet. Në një njoftim, TIA tha se pavarësisht ndërprerjes së përkohshme, puna vijon normalisht.
Ndërkohë, në Durrës reshjet e dendura të shiut shkaktuan vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore. Po ashtu, mësohet se është pezulluar përkohësisht lundrimi i anijeve të vogla, deri në përmirësimin e situatës.
Në Kavajë, një plep u rrëzua në rrugë për shkak të erës së fortë duke paralizuar trafikun.
Probleme nga era e fortë e reshjet e dendura pati edhe në Vlorë. Rrugët u pushtuan nga uji, duke vështirësuar qarkullimin e makinave.
Instituti i Gjeoshkencave, IGJEUM, paralajmëron se Tirana, Durrësi e Lezha do të mbeten nën pushtetin e reshjeve intensive të shiut deri ditën e diel, 31 gusht, me rrezik për përmbytje urbane. Shkodra, Dibra, Elbasani, Vlora dhe Gjirokastra do të kenë reshje mesatare deri intensive, të shoqëruara me shtrëngata dhe erëra të forta.
Nisur nga këto parashikime, autoritetet u bëjnë apel qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të mos parkojnë mjetet në zonat që kanë rrezik për përmbytje.
Ndërsa Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal në lëvizje, për shkak të motit të keq me erëra të forta, shi e stuhi që ka shkaktuar prezencë uji, inerte dhe thyerje pemësh në disa akse rrugore. Drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët të shmangin rreziqet dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit. Në rast nevoje, të kontaktojnë numrin 112 dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë.


