Subjektet politike nesër do të mësojnë renditjen e tyre në fletëvotimin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Më 17 shtator do të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin për zgjedhjet e 6 tetorit”, ka pohuar ai.
Elezi tha se ende nuk është caktuar ora se kur do të bëhet tërheqja e shortit, dhe se për këtë KQZ do të informojë më vonë.
Ndryshe, fushata zgjedhore do të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor. Sipas listës preliminare të KQZ-së, në Kosovë janë 1 milion e 972 mijë votues, ndërsa deri më 10 shtator ka qenë i hapur afati për regjistrim për votuesit në diasporë.
Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës afro 6 milionë euro./Telegrafi/