Gazetari francez Antoni Lallican është vrarë nga një dron në Ukrainë. Lajmin e kanë bërë të ditur Federata Ndërkombëtare dhe ajo Evropiane e Gazetarëve (IFJ-EFJ), të cilat shprehën ngushëllimet e tyre për familjen dhe të afërmit e Lallican.
Në një deklaratë, federatat “dënojnë këtë krim lufte dhe kërkojnë nga autoritetet që të nisin një hetim për të identifikuar përgjegjësit”. Ky është rasti i parë kur një gazetar vritet nga një dron në Ukrainë.
Rrethanat e ngjarjes, e cila ndodhi të premten në mëngjes, në orën 9:20 me orën lokale, janë ende objekt hetimi. Një gazetar ukrainas, Heorgiy Ivanchenko, mbeti i plagosur në të njëjtin sulm.


