Rusia intensifikoi sulmet të hënën ndaj disa qyteteve ukrainase, duke goditur infastrukturën jetike dhe duke ndërprerë furnizimin me energji dhe ujë për kryeqytetin Kiev dhe rajonet e tjera. Sulmet u bënë një ditë pasi Rusia pretendoi se Ukraina kishte sulmuar flotën e saj në Detin e Zi.
Presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi të hënën se sulmet në Ukrainë ishin në përgjigje të sulmeve të bëra me dronë nga Kievi, siç akuzoi ai.
Në përgjigje të një pyetjeje nga një gazetar nëse bombardimet ishin në përgjigje të ngjarjeve të fundit në Detin e Zi, zoti Putin tha: “Pjesërisht, po. Por nuk ishte gjithçka që ne mund të kishim bërë”.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se sulmet ndërprenë furnizimin me energji dhe ujë në disa pjesë të qytetit.
Kyrylo Tymoshenko, nga presidenca ukrainase, tha se raketat ruse synuan “instalimet e energjisë elektrike në një numër rajonesh të Ukrainës”.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se sulmet nuk duhet të justifikohen “duke i quajtur ‘përgjigje’, një referencë e dukshme ndaj pretendimit të Rusisë se Ukraina kreu një sulm kundër flotës ruse të Detit të Zi në brigjet e Krimesë së pushtuar.
“Në vend që të luftojë në fushën e betejës, Rusia lufton civilët”, shkroi ministri Kuleba në Twitter. “Rusia e bën këtë sepse ka ende raketa dhe vullnet për të vrarë ukrainasit”, tha ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në fjalimin e tij mbrëmjen e së hënës se Ukraina i ka rrëzuar 45 raketa të nisura nga Rusia.
Ukraina nuk ka konfirmuar apo mohuar sulmet ndaj flotës ruse, që Rusia i përmendi si arsye për pezullimin e pjesëmarrjes në iniciativën e OKB-së për drithin.
Një zyrtar i lartë i ushtrisë amerikane tha se Shtetet e Bashkuara po ndjekin njoftimet për një sulm ndaj mjeteve detare ruse në Sevastopol dhe tha se “konstatojmë se ka patur shpërthime atje”.
Presidenti rus Putin tha të hënën se Ukraina sulmoi me dronë flotën ruse, nëpërmjet një zone që ishte ruajtur për të ofruar siguri për anijet që transportojnë drithin.
Ushtria ukrainase shkruajti në Telegram se sulmi rus përfshiu të paktën 50 raketa të hedhura gjatë disa valëve të sulmit.
Forcat ajrore ukrainase thanë se kishin rrëzuar 44 raketa të nisura nga forcat ruse.
Rusia po rekruton ushtarë afganë
Ushtarët e forcave speciale afgane që luftuan përkrah forcave amerikane dhe që më pas u larguan drejt Iranit pas tërheqjes amerikane, po rekrutohen tashmë nga ushtria ruse. Këtë e bënë të ditur tre ish-gjeneralë afganë që biseduan me agjensinë e lajmeve Associated Press.
Gjeneralët thanë se rusët po përpiqen të tërheqin mijëra komando afganë me premtime për rroga mujore prej 1500 dollarësh dhe për strehim të sigurtë në Rusi, nëse bien dakort të luftojnë në Ukrainë. Shumica e ushtarëve afganë të zhvendosur do të donin të shmangnin deportimin për në atdhe, ku shumë mendojnë se do të gjejnë vdekje të sigurtë në duart e talebanëve. Një gjeneral tha se “ata nuk duan të luftojnë, por nuk kanë zgjidhje tjetër”.
Marrëveshja për drithin në Detin e Zi
Ukraina nuk e ka konfirmuar apo mohuar sulmin ndaj flotës ruse, të cilën Rusia e përmendi të shtunën si arsyen e saj për pezullimin e pjesëmarrjes së saj në një iniciativë për drithin të udhëhequr nga OKB-ja.
Ndërkohë, në një përpjekje për të shmangur urinë në botë, 12 anije me drithë lundruan nga portet e Ukrainës, pavarësisht tërheqjes së Moskës nga nisma. Ato transportuan 354,500 tonë drithë, sasia më e madhe e transportuar brenda një dite që nga fillimi i programit, duke sugjeruar se një sasi e mbetur ishte duke u përpunuar pasi eksportet u ndërprenë të dielën.
“Anijet civile të mallrave nuk mund të jenë kurrë një objektiv ushtarak ose të mbahen peng. Lëvizja e ushqimeve duhet të vazhdojë”, shkruajti në Twitter Amir Abdullah, zyrtari i OKB-së që koordinon këtë program.
Megjithatë, firma londineze Ascot që bën siguracionin për dërgesat ka ndërprerë sigurimin për dërgesat e reja që kalojnë nëpër korridorin ukrainas të Detit të Zi.
“Nga sot po ndalim sigurimin e dërgesave të reja derisa të kuptojmë më mirë situatën”, tha drejtuesi i kompanisë Ascot, Chris McGill. “Siguracionet që tashmë janë dhënë, vazhdojnë të jenë të vlefshme”.
Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara punuan për të vazhduar dërgesat e grurit nëpër Detin e Zi të hënën, me anijet e inspektuara më parë që vazhdojnë të lëvizin.
“Nuk po kërkojmë leje, po vazhdojmë të zbatojmë iniciativën e drithit të Detit të Zi”, u tha gazetarëve të hënën në selinë e OKB-së drejtuesi për ndihmat, Martin Griffiths.
Ai tha se palët nënshkruese të marrëveshjes janë ende të detyruara të mos sulmojnë anijet ose objektet portuale të mbrojtura nga marrëveshja.
Zoti Griffiths, një arkitekt kryesor i marrëveshjes, pranoi se do të ishte “gjithmonë një rrugëtim i vështirë” zbatimi i marrëveshjes midis dy palëve ndërluftuese. Ai tha se diskutimet janë duke vazhduar me rusët që të anulojnë pezullimin e zbatimit të marrëveshjes nga ana e tyre.
Ai foli me gazetarët pas një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thirrur nga Rusia për të diskutuar sulmin e së shtunës ndaj anijeve të saj luftarake në Detin e Zi.
Zoti Griffiths tha se në këndvështrimin e OKB-së nuk kishte shkelje të marrëveshjes së grurit në atë incident dhe se Rusia duhet të paraqesë çdo ankesë që ka në Qendrën e Përbashkët të Koordinimit në Stamboll, e cila merret me mosmarrëveshjet.
“Korridori mbrojtës i anijeve nuk është i hapur në orën 4 të mëngjesit, ai është i hapur kur anijet lëvizin në korridor”, tha ai, duke përmendur kohën e sulmit. Për sigurinë e tyre, anijet tregtare lëvizin nëpër korridore gjatë orëve të ditës.
“Anijet që me sa duket u sulmuan, mendoj se ishin kryesisht anije ushtarake – nuk ka anije ushtarake, sipas njohurive tona, që janë të përfshira në mbështetje të Iniciativës së Drithit të Detit të Zi”, shtoi ai.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se lëvizja e anijeve në korridor pasi pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshje, është “e papranueshme”.
I dërguari i Rusisë në OKB i tha Këshillit të Sigurimit se nuk mund të garantojë sigurinë e anijeve dhe se pa pjesëmarrjen e saj, marrëveshja nuk duhet të zbatohet.
“Vendimi i marrë pa ne nuk na vendos asnjë detyrim”, tha Ambasadori Vassily Nebenzia. “Në të njëjtën kohë, duke marrë parasysh faktet e abuzimit me korridoret humanitare dhe faktin bazë që Deti i Zi mbetet një zonë luftimesh, ne nuk mund të lejojmë kalimin e papenguar të anijeve pa inspektimin tonë. Ne do të duhet të ndërmarrim masat tona për të kontrolluar atë që u lejua nga Qendra e Përbashkët Koordinuese pa pëlqimin tonë”.
Më shumë se 9.5 milionë tonë metrikë grurë dhe ushqime të tjera janë larguar nga portet e Ukrainës që nga fillimi i gushtit sipas marrëveshjes.
Tregjet e grurit kanë qenë të paqëndrueshme për shkak të sulmit 8-mujor të Rusisë në Ukrainë, pasi dy vendet janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë.
Pasi asnjë anije nuk lëvizi nëpër korridorin humanitar detar të dielën, Ministri i Infrastrukturës i Ukrainës Oleksandr Kubrakov tha të hënën se disa anije ishin në gjendje të largoheshin nga portet ukrainase. Mes tyre ishte anija që Programi Botëror i Ushqimit e caktoi për të sjellë 30 mijë tonë metrikë grurë në Afrikë.
“Këto ushqime ishin të destinuara për banorët e Etiopisë, të cilët u përballën me mundësinë reale të urisë masive”, shkruajti zoti Kubrakov në Twitter.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i bëri thirrje Rusisë që të rikthehet tek marrëveshja për të lejuar që “ushqimi të shpërndahet nëpër botë”.
“Vendimi i Rusisë për të pezulluar pjesëmarrjen në marrëveshjen e Detit të Zi vë në rrezik rrugën kryesore të eksportit të grurit dhe plehrave kimikë shumë të nevojshëm për të trajtuar krizën globale të ushqimit të shkaktuar nga lufta e saj kundër Ukrainës”, shkruajti zoti Borrell të dielën në Twitter. “BE i kërkon Rusisë të anulojë vendimin e saj.”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të shtunën e quajti daljen e Rusisë nga marrëveshja “të parashikueshme”. Ai akuzoi Moskën për “bllokadë” ndaj anijeve që transportonin drithë që nga shtatori.
Presidenti Zelenskyy bëri thirrje për një përgjigje të ashpër kundër Rusisë nga organizmat ndërkombëtare si OKB-ja dhe grupi G-20 i ekonomive kryesore të botës.
Duke folur me gazetarët në Delaware të dielën, Presidenti i Shteteteve Joe Biden e quajti vendimin e Rusisë për të pezulluar pjesëmarrjen nga marrëveshja për grurin ukrainas “krejtësisht revoltues” dhe tha se kjo do të rriste urinë.
“Nuk ka asnjë meritë për atë që po bëjnë. OKB-ja e negocioi atë marrëveshje dhe kjo duhet të mjaftojë”, tha Presidenti Biden. /VOA