Partneri shqiptar i koalicionit qeveritar në Shkup, BDI vlerëson se sulmi ndaj policisë maqedonase në afërsi të kufirit me Kosovën dëmton interesat kombëtare në përgjithësi dhe agjendën e shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti.
Partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim, fton qytetarët që të mos shqetësohen dhe të mos bien prè e provokimeve të tilla. Përmes një komunikate me shkrim, BDI ka kërkuar nga institucionet kompetente të zbardhin sa më parë këtë rast dhe të marrin përgjegjësinë për të garantuar siguri për qytetarët.
Ndërkohë, ka reaguar edhe partia maqedonase në opozitë, LSDM, e cila e ka dënuar sulmin ndaj policisë. Në reagimin e këtij subjekti thuhet se, incidenti është skenar i përgatitur nga pushteti. Sipas LSDM-së, përmes këtij incidenti, zyrtarët e Qeverisë po tentojnë të shpërqëndrojnë vëmendjen e qytetarëve nga aferat korruptive, që po zbulohen me aferën e përgjimeve.
Pas incidentit në afërsi të kufirit me Kosovën, ka reaguar edhe ish-komandanti i UÇK-së nga zona e Likovës, Abedin Zymberi. Ai ka thënë se incidenti është kurdisur nga kryeministri Nikola Gruevski, i cili po përdor kartën nacionaliste për të përfituar politikisht tek elektorati maqedonas. Zyberi ftoi qytetarët shqiptarë të jenë të kujdesshëm dhe të mos provokohen nga grackat e regjimit të Gruevskit.
Edhe ish-komandanti i Forcave maqedonase të Sigurisë, Stojançe Angelov akuzon Qeverinë për sulmin ndaj policisë maqedonase në fshatin Goshincë. Ai, disa javë më parë ka paralajmëruar skenarë të kësaj natyre, duke thënë se pushteti po shpenzon miliona euro për të provokuar tensione ndëretnike, me qëllim që të shpërqëndrojë vëmendjen e opinionit nga aferat korruptive.