Delegacioni i Bashkimit Evropian në Ukrainë, me seli në Kiev, ka pësuar dëme të mëdha nga sulmet ajrore ruse të enjten, njoftuan zyrtarë të lartë të BE-së.
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, shkroi në rrjetin social X: “Delegacioni i BE-së në Kiev u dëmtua nga sulmet ruse ndaj zonave civile. Dënoj ashpër këto sulme brutale – një tregues i qartë se Rusia refuzon paqen dhe zgjedh terrorin. Solidaritet i plotë me stafin e BE-së, familjet e tyre dhe të gjithë ukrainasit që përballen me këtë agresion.”
Ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarina Mathernova, deklaroi se goditja direkte e një ndërtese civile pranë selisë shkaktoi një valë goditëse që dëmtoi rëndë ndërtesën e Delegacionit.
“‘Paqja’ e Rusisë mbrëmë: një sulm masiv ndaj Kievit me dronë dhe raketa balistike. Të paktën 10 të vdekur, 30 të plagosur, shumë ndërtesa të shkatërruara,” shkroi Mathernova. “Kjo është përgjigjja e vërtetë e Moskës ndaj përpjekjeve për paqe.”
Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima mes stafit të Delegacionit, megjithëse disa kate të godinës janë dëmtuar rëndë.
Ky nuk është sulmi i parë pranë selisë së BE-së në Kiev. Në qershor, një dron Shahed goditi rëndë një ndërtesë zyre ngjitur me Delegacionin.
Ndërkohë, Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore në Ukrainë gjatë muajve të fundit, pavarësisht përpjekjeve në rritje të Perëndimit për të arritur një zgjidhje diplomatike të luftës, e cila nisi në shkurt të vitit 2022.
Ministrat e Mbrojtjes të BE-së pritet të takohen sot në Kopenhagë për të diskutuar mbi mbështetjen ndaj Ukrainës dhe mbajtjen e presionit ndaj Rusisë që të ndalë agresionin.


