Europol: 6 bosët e krimit fshiheshin në Dubai
49 persona të arrestuar dhe 30 tonë kokainë e sekuestruar. Ky është bilanci i një super operacionit ndërkombëtar i organizuar në disa shtete si në Belgjikë, Francë, Holandë, Spanjë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Operacioni i organizuar nga Europol në bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe nisi nga Spanja deri në Dubai, e kishte si synim shkatërrimin e njërit prej “superkarteleve” që kontrollonte rreth një të tretën e tregtisë së kokainës në Evropë.
Janë 6 persona gjithsej të arrestuar në Dubai që konsiderohen si koka të krimit të organizuar. Dhjetë persona u arrestuan në Belgjikë, gjashtë në Francë dhe 13 në Spanjë. 14 persona të tjerë u arrestuan në vitin 2021 në Holandë si pjesë e të njëjtit operacion.
Policia spanjolle bëri të ditur se lideri i organizatës është një “shtetas britanik”, i cili u largua nga baza e tij e mëparshme në Costa del Sol për t’u fshehur në Dubai, ku është vendosur grupi i krimit të organizuar “Kinahan”, pas një tentative rrëmbimi. Më pas “lordi i drogës” u arrestua në Dubai. Një tjetër britanik ndërkohë u arrestua në Costa del Sol, sipas një burimi të policisë spanjolle, ndërsa oficerët kontrolluan një sërë vilash.
Organizata kriminale me bazë në Spanjë kishte dy struktura të diferencuara, pjesa që kishte për detyrë nxjerrjen e drogës në portet detare dhe tjetra përgjegjëse për pastrimin e parave nëpërmjet firmave të pasurive të paluajtshme.