“Në projekt-buxhetin që keni përpara jush dhe që është prezantuar tek ju tashmë, është parashikuar fondi për Akademinë e Shkencave”, tha zv.ministrja e Ekonomisë.
“1200 euro merr në muaj një akademik kosovar. Kam respekt për ta, nuk kam asgjë kundër, por ne marrim 1/5 e tyre dhe atyre nuk u thotë njeri e hani bukën kot. Një vend nëse nuk ka shkencë e zhvillim, nuk ecën para. Kenia ka banane, e ka gjithë të mirat e botës, por është aty ku është. Japonia ka vetëm squfur edhe është ajo që është, sepse ka shkencën”, tha akademiku Apollon Baçe.
Akademikët kërkuan ndihmën e deputetëve për të ndërmjetësuar dhe bindur kryeministrin që të takohet me ta. “Problemi është sepse nuk ka komunikim serioz mes Akademisë dhe qeverisë, Akademisë dhe komisionit. Jemi në situatë absurde, pezull”, tha Foresha Dado.
“Unë i bëra thirrje zotit Kryeminstër, që të bënte reformim. Thirrja për reformë nuk ka dalë nga unë, por nga brenda Akademisë. Ne kemi ngritur grup që të reformohemi. Kemi qenë bashkëpunues. Reformim po, por jo ndërprerje fondesh. Reformimi mund të zgjasë 6 muaj, por edhe 1 vit. Si ta bëjmë nëse zgjat? Ka kontradikta në mes të deklaratave. Çfarë kthejmë ne në investime? Ju bëjmë thirrje kuvendit, për të mbrojtur ekzistencën e Akademisë. E kuptojmë shqetësimin e qeverisë, që të ketë Akademi të reformuar. Po e ndjekim, nuk ka rezistencë. Duam ta çojmë para. Ju lutem negocioni takimin e kryeministrit me ne. Ftesa jonë ka nevojë që të na krijohet kjo mundësi. Ne nuk do t’ju zhgënjejmë për këtë buxhet”, tha akademiku Artan Fuga. /Top Channel