“Në sfidën e së hënës do të ndryshojme strategji”
Ndeshja me Andorrën duhet fituar dhe te Kuqezinjtë ky është synimi i vetëm. Por sfida që do të luhet mbrëmjen e së hënës në Arenën Kombëtare do të jetë ndryshe na ajo me Anglinë, pasi Shqipëria duhet të ndryshojë strategji. Për trajnerin Sylvinho duhet gjetur hapësira për të shënuar.
“Ndaj Andorrës nuk na lejohen gabimet. Kemi parë ndeshjen e fundit të tyre, gjithçka ishte e barabartë dhe u vendos nga episodet. Kemi punuar për të gjetur hapësirë për të shënuar. Do kalojmë nga një ndeshje ku duhet të mbyllnim dhe të riniseshim, në një ndeshje kur ne duhet të krijojmë”, tha Sylvinho.
Kapiteni Berat Gjimshiti tha se çelësi i suksesit do të jetë te duelet individuale të sulmuesve kuqezi.
“Janë të përgatitur fizikisht. Luajnë në mbrojtje. Duhet t’i fusim në duele individuale me sulmuesit tanë që të krijojnë hapësira dhe mendoj se ky do të jetë kyçi”, tha Gjimshiti.
Kombëtarja zhvilloi mbrëmjen e së dielës edhe stërvitjen zyrtare në Arenën Kombëtare, duke punuar në aspektin taktik. Trajneri Sylvinho tha në konferencë se formacioni titullar do të vendoset vetëm ditën e ndeshjes.