Takohen Mickoski,Sela e Gashi

A PO PROFILIZOHET SKENA POLITIKE NË RMV?

Deklarata e para dy javëve e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari se ‘…nëqoftëse BDI-ja koalicionon sërish me LSDM-në, ne do të koalicionojmë me VMRO-DPMNE-në dhe anasjelltas, nëse BDI-ja koalicionon me VMRO-DPMNE-në, ne do të koalicionojmë me LSDM-në,’- duket se po shkon drejt konkretizimit: Burime të besueshme nga VMRO-DPMNE-ja, por edhe opozita shqiptare, konfirmojnë se të premten në hotelin ‘Hilton’ në Shkup do të ketë një takim mes krerëve opozitarë Hristijan Mickoski, Ziadin Sela e Afrim Gashi: ‘Nën kujdestarinë e fondacionit gjerman ‘Konrad Adenauer’ do të mbahet konferenca me temën ‘Partitë Konservatore Popullore ndërtojnë ura drejt të ardhmes së përbashkët përbashkët evropiane’ dhe në të do të marrin pjesë edhe liderët e këtyre partive që ju po i përmendni’– deklaroi për TV Klan M një burim i besueshëm i partisë opozitare maqedonase, duke vlerësuar se koalicioni eventual opozitar në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm ‘do të provonte kapacitetin serioz koalicionues të opozitës në vend’. Një mundësi të këtillë e la të hapur, të hënën në emsionin ‘Klan Debat’ të Seladin Xhezairit, edhe vet kreu i opozitës maqedonase, Mickoski. Ndonëse është herët të flitet për më shumë hollësi, s’do mend se afrim-pajtimi i opozitës maqedono-shqiptare shkon drejt profilizimit të skenës politike në vend. Krijimi i dy blloqeve do të ‘ndrydhte’ edhe tensionet e zakonshme ndëretnike.

Leave a Reply