Qeveria ka pranuar se rritja e përvitshme e taksave mbi cigaret ka nxitur kontrabandën. Në paketën e fundit fiskale, Ministria e Financave është tërhequr nga rritja e parashikuar e akcizës për cigaret, duke nënvizuar se kjo do të ishte e dëmshme.
Qeveria e kishte parashikuar në ligjin për programin buxhetor afatmesëm, që akciza e cigareve të vazhdonte të rritej edhe gjatë vitit 2016, me 10 lekë të tjera për paketë. Por, siç thekson Ministria e Financave, rritja e fortë gjatë viteve të fundit ka çuar në rënien e sasive të importit.
Paralelisht – sqaron Ministria e Financave, – në Shqipëri, taksat mbi cigaret janë më të larta se vendet e tjera fqinje, gjë që favorizon kushtet për kontrabandë dhe blerjet në sasi të pakta.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, 3 vitet e fundit që përkojnë me rritjen e fortë të akcizës mbi cigaret kanë shënuar rënie të vazhdueshme në importin e këtij produkti. Sipas Ministrisë së Financave, për 9-mujorin e këtij viti, zhdoganimet e cigareve ishin 1886 tonë, ose 30 për qind më pak sesa në vitin 2012.
Rritja e parashikuar e akcizës së cigareve pritej të sillte 2.1 miliardë lekë në buxhet. Por, në pamundësi për të zbatuar këtë masë, Financat kanë ndërhyrë në disa taksa të tjera, si ajo e sigurimeve, trojeve apo hoteleve.