Kandidati për president në Maqedoni të Veriut nga koalicioni VLEN, Arben Taravari, ka thënë se përjeti shok kur pa reagimin e Prishtinës në lidhje me planin 9 pikësh të OSBE-së për de-eskalimin dhe normalizimin e veriut të Kosovës, i përpiluar nga Bujar Osmani si kryesues i kësaj organizate.
“Autorësinë e këtij plani, që atëkohë ishte komplet antipod me situatën dhe me interesat e Kosovës respektivisht shqiptarëve, e ka konfirmuar z. Osmani në një rrëshqitje të qëllimshme përgjatë një emisioni televiziv parmbrëmë në Kosovë. Kjo përpjekje e tij për të treguar se si ministër i jashtëm ka kontribuar edhe për stabilitetin në rajon, është një e vërtetë e hidhur për qytetarët e vendit tonë dhe shqiptarët kudo”.
“Tani jemi në situatën ku themi fatmirësisht që ai plan nuk u pranua dhe nuk u realizua nga Qeveria e Kosovës, se me sa pashë unë ai plan vetëm për de-eskalim nuk ishte. Ne e dimë sepse kemi përcjellë me shqetësim të madh vëllazëror zhvillimet në Republikën e Kosovës dhe situatën në veriun e vendit atje. Presionet me të cilat është përballur Republika e Kosovës kanë qenë të mëdha, e në anën tjetër kërcënimet dhe lufta hibride nga shteti serb në veriun e vendit ka qenë permanent përherë”, tha Taravari.
“Si të mos mjaftonin këto gabime të mëdha diplomatike, mbrëmë Osmani paska thënë se plani i tij paska sjellë paqenë. Si mundet një plan i cili u refuzua në tërësi nga Qeveria e Kosovës te sjellë paqen? Lërini sulmet edhe mburrjet e kota z. Osmani, por shpjegojini publikut, pse keni kërkuar që në veri të Kosovës të largohen policët specialë, dhe të mbeten vetëm policët e thjeshtë? A e dini ju se me forcat terroriste, policët e thjeshtë nuk kanë kapacitet të përballen siç u konfirmua edhe me rënie dëshmor të Afrim Bunjakut? A është koncepti juaj për paqen, hapja e rrugës për terroristët dhe cenimi i sovranitetit të Kosovës?”, u shpreh Taravari.