Gjatë shtatë ditëve të fundit me COVID-19 janë infektuar mbi katër milionë njerëz në mbarë botën, që është shifra më e madhe brenda një jave që nga fillimi i pandemisë, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetit.
OBSH-ja ka njoftuar se gjatë shtatë ditëve të fundit më coronavirus janë infektuar 4.060.891 persona, ndërsa të njëjtën periudhë kanë humbur jetën 67.221 pacientë, transmeton Telegrafi.
E një javë më parë ishin konfirmuar 3.977.223 raste të reja me COVID-19, si dhe 59.699 tjerë që kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me coronavirus.
Megjithatë OBSH konsideron se të dhënat për javën e kaluar, tregojnë në ngadalësimin e përhapjes së pandemisë.
Trendi i rënies së numrave me raste të reja është vërejtur në Evropë dhe Azinë Juglindore, derisa përhapja është rritur në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut, ku gjithashtu ka pasur rritje edhe të numrit të rasteve të vdekjeve.
Gjatë periudhës 16-22 nëntor, rritje më të madhe të numrit të rasteve të reja janë konfirmuar në Evropë – me rreth 1.7 milion dhe mbi 32.600 raste tjera të vdekjes.
Në anën tjetër, Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut gjatë të njëjtës periudhë, kanë shënuar mbi 1.6 milion raste të reja me COVID-19 dhe afro 22 mijë vdekje.
Në Azinë Juglindore gjatë shtatë ditëve të kaluar janë infektuar 351.000 njerëz, e numri i atyre që kanë humbur jetën është rritur për 4.700.
Në javën e kaluar numri i rasteve të konfirmuara në SHBA është rritur në mbi 1.1 milion, në Indi me 281.000, Itali për afro 236.000, Brazil me 209.000, Francë me mbi 171.000 dhe Rusi me 163.000.
Përhapja e virusit është duke lëvizur me “hapa” të shpejtë në Poloni, ku janë konfirmuar 152.000 raste të reja në shtatë ditët e kaluara, e i njëjti trend mund të ndodh në Britani të Madhe (me mbi 149.000 raste të reja), Gjermani (mbi 127.000) dhe Iran (mbi 91.000). /Telegrafi/