Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova është arrestuar sot dhe është dërguar në mbajtje nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Avokati i tij, Besnik Berisha, ka treguar të gjitha arsyet pse çuan në pranga të parin e Istogut.
Avokati Berisha ka thënë se Rugova akuzohet për katër vepra penale, për të cilat ai shprehet i bindur se është i pafajshëm. Bëhet fjalë për katër vendime të Asamblesë Komunale për dhënien në shfrytëzim të disa parcelave për gurthyes.
“Veprat për të cilat akuzohet kryetari kanë të bëjnë me katër vendime të Asamblesë Komunale për dhënien e disa parcelave për gurthyes”, është shprehur Berisha.
Tutje, ai tregoi se kontratat e tilla janë nënshkruar nga nënkryetari i komunës, gjë që sipas tij, është shmangur konflikti i interesit me kompaninë përfituese.
“Normalisht Rugova nuk ka nënshkruar. Por, e ka dërguar kompetencën e tij te nënkryetari i Komunës. Është shmangur konflikti i interesit”, ka thënë Berisha në RTK.
“Kontratat e tjera që janë nënshkruar nga nënkryetari i përputhen vendimit të Asamblesë Komunale. Ajo ka votuar dhe vlerësuar në interes të dhënies në shfrytëzim të asaj zone”, shtoi Berisha./GE/