Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar mbi situatën shqetësuese të zjarreve që kanë përfshirë vendin.
Në një konferencë për shtyp, ai tha se një qeveri e përgjegjshme do të kishte shpallur fatkeqësinë natyrore për zonat e prekura, ndërsa apelon edhe për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Kjo është një emergjencë kombëtare dhe duhet përgjigjur si e tillë. Madje duhet të mblidhet dhe Këshilli i Sigurimit, por ai vijon ahengjet”, tha Berisha.
Berisha dënon individët që kanë vënë zjarrin në disa zona, por bën përgjegjësi qeverinë për këtë situatë me devijimi i shpenzimeve të buxhetit të shtetit.
“Po të harxhosh 21 mln euro për chartera privatë, 10 mln për satelitët, 7 milion për Giro d’Italia, 50 milion për tunelin e Llogarasë, vendi sot do të kishte dy Canada Air dhe 150-200 zjarrëfikëse më shumë”, shtoi ai.
Kreu i PD tha se qeveria nuk duhet të krahasohet me vendet fqinjë, por duhet të mbajë përgjegjësi për abuzimet që ka kryer.


