Një avion me 72 persona në bord është përplasur pranë një aeroporti në Nepalin qendror. Sipas Reuters nga kjo ngjarje kanë mbetur të vdekur të paktën 68 persona.
Avioni Yeti Airlines ishte nisur nga Kathmandu drejt qytetit turistik Pokhara dhe u rrëzua gjatë uljes. Sipas mediave ndërkombëtare, avioni u përfshi nga flakët.
Në mediat sociale janë postuar video ku shfaqet një avion që fluturon ulët në një zonë të populluar dhe fillon të rrotullohet. Sipas BBC, në bord ndodheshin 68 pasagjerë dhe 4 anëtarë të stafit. 15 prej pasagjerëve janë të huaj.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar qindra ushtarë nepalezë. Në videot e postuara shfaqet avioni i përshirë nga flakët. Kryeministri Pushpa Kamal Dahal ka kërkuar një mbledhje urgjente të kabinetit dhe ka nxitur agjencitë shtetërore që të punojnë për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Aksidentet ajrore nuk janë të pazakonta në Nepal. Në Maj të vitit 2022 një avion ra në një distrikt në veri të Nepalit duke vrarë 22 persona. Në 2018-n, 51 persona humbën jetën pasi një avion mori flakë teksa ulej në Kathmandu.