(me rastin e Fitër Bajramit, 2024)
“O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk, që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë ai është më i miri. Këto janë nga argumentet e Allahut, ashtu që ata të përkujtojnë.” (El-A’raf, 26)
Nga H. Afrim Tahiri
Të dashur besimtarë, motra e vëllezër!
Le ta falënderojmë Krijuesin tonë që edhe kësaj radhe na e mundësoi ta përjetojmë begatinë dhe madhështinë e Muajit Ramazan, duke agjëruar e duke u lutur natë e ditë që të na bëjë pjesë e pandashme e besimtarëve të devotshëm.
Devotshmëria arrihet vetëm duke ikur nga e keqja dhe duke bërë vera të mira. Në korpusoin e të keqes bijnë të gjitha ato veprime që na bëjnë të denjë të jemi vetëm pjesëtarë të “ushtrisë së djallit”, ndërsa në korpusin e veprave të mira përfshihen të gjitha ato vlera të cilat e stolisin njerëzimin dhe e bëjnë që ta ndjejë Kënaqësinë e Allahut Mëshirëplotë.
Motra e vëllzër, Ramazani është moment ideal për ta përjetuar mbajtjen e atij petku që Krijuesi ynë e ka falur për ne dhe që na e ka urdhëruar, na e ka bërë obligim të domosdoshëm, sepse, besimtarë të dashur, myslimanit nuk i shkon asnjë petk tjetër përveçse petku i devotshmërisë.
Pa dyshim, gjatë agjërimit dhe gjatë kryerjes së ibadeteve shtesë që e karakterizojnë këtë muaj, myslimani ndjehet më i sigurtë, më i mbrojtur, me i fuqishëm, më i dashur, më i dhembshëm, më paqësor e më pranë Krijuesit Fuqiplotë. Kjo, sepse, ai është veshur me petkun e devotshmërisë, me atë petk që do të donte ta mbajë përgjatë tërë jetës së vet. Është fare e lehtë që të arrihet kjo! Na duhet vetëm që të bëjmë vepra të mira, me të cilat Krijuesi ynë do të ishte i kënaqur! Në ajetin 25 të sures El-Bekare, Allahu Mëshirëplotë thotë: “E, përgëzoji ata që besuan dhe bënë vepra të mira…”, apo në ajetin 277 i po të njëjtës sure: “S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e falën namazin dhe e dhanë zekatin, ata i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre…”
Pra, njeriu është krijuar dhe urdhëruar që të bëjë vetëm vepra të mira. Vepër e mirë është edhe dashuria dhe respekti ndaj njeriut dhe ndaj vlerave të tij, qofshin ato etnike apo fetare! Vepër e mirë është edhe qasja humane ndaj njeriut që nuk ka, që është në nevojë, ndaj jetimit, ndaj skamnorit, ndaj të ngratit. Ndarja e një vakti me këtë kategori njerëzish është, pa dyshim, ndër veprat e pëlqyera te Krijuesi Mëshirëplotë. Vepër e mirë dhe shumë njerëzore është edhe respektimi i tjetrit, i traditave të tij, i besimit të tij! Fatkeqësisht, këtë Ramazan ka pasur funksionarë administrativë që nuk kanë pasur dhembshuri, respekt e mirëkuptim ndaj motrave tona të angazhuara në administratën shtetërore e publike, pa çka që në mesin e këtyre funksionarëve ka pasur edhe shqiptarë e myslimanë. Jo vetëm që femra është krijesë më e butë, më e brishtë, por, është e ngarkuar edhe me më shumë punë shtëpiake e angazhime familjare. Ka pasur ankesa nga administratoret myslimane se eprorët e tyre nuk janë treguar të mirëkuptueshëm edhe atëherë kur janë lutur që të lëshohen më herët të përgatisin iftar për mysafirët që do t’i kenë. Sikur ishte krijuar një traditë që administratoret myslimane të falen nga rregullshmëria e përditshme në punë: të vijnë një-dy orë më vonë e të ikin një-dy orë më herët! Në këtë drejtim, ky Ramazan ishte përplotë ankesa prej administratoreve myslimane, ndërsa ndaj këtyre ankesave u treguan shurdhër dhe injorues si pushtetarët tanë ashtu edhe Institucioni i BFI-së i cili, me gjasë, u deh nga iftaret e përbashkëta që i organizonte me pushtetarë e drejtues administrate, duke e harruarr misionin e vet fetar e të humanizmit.
Kur veprat e mira mund të jenë në sasi të shumta e në përbërje të përkryera? Natyrisht, vetëm kur ato kryhen nga fuqia e unifikuar fizike, shpirtërore e intelektuale. Kësaj radhe, ky Ramazan, na gjeti të ndarë e të përçarë, të rreshtuar nëpër tabore e nëpër fronte! Gjithmonë taboret e frontet janë minues e mohues! Sado që njëri tabor mundohet të bëjë vepra të mira, tjetri do të mundohet t’ia prishë e të bëjë vepra edhe “më të mira”. Por, vetë prishja, si koncept, i përket së keqes, së shëmtuarës, së ligës. Prandaj edhe jemi të urdhëruar: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e Allahut, e mos u përçani!…” (Ali Imran, 103)
Besimtarë të nderuar! Motra e vëllezër të dashur! Sot kemi festë, festën e Fitër Bajramit! Të veshur bukur e me petkun e devotshmërisë, na ngelë që sot të falim vetëm dashuri vëllazërore, ngrohtësi familjare, të falim pajtueshmëri ndaj atyreve që për inate i kemi mbajtur larg neshë; sot duhet të jemi humanë si asnjë ditë tjetër gjatë vitit, ta kujtojmë sofrën e varfër të atyre që nuk kanë dhe ta shtrojmë plotë nisur nga ndjenjat tona humane që i kemi e që në raste të tilla na shtohen dhe më shumë. Këtë petk të devotsshmërisë ta ruajmë më shumë se sytë e ballit, sepse nuk është gjë që blihet në pazar. Na takon dhe na ka hije që gjatë tërë vitit, me asnjë pasuri të kësaj bote, mos ta ndërrojmë petkun e devotshmërisë. Të veshur kaq pastër shpirtërisht, le të lutemi për qetësi dhe paqe në Palestinë.
Motra e vëllezër!
Për shumë vite të urojmë Gezuar Fitër Bajramin!
Zoti na e pranoftë agjërimin dhe ibadetet e kryera në këtë Muaj të bekuar! Paqe, harmoni, dashuri e humanitet pastë në mesin tonë dhe kudo në botë.
(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI)