Midis nesh
Në fillim të muajit maj të këtij viti, në Universitetin e Harvardit startoi Gjuha Shqipe si lëndë zgjedhore në Departamentin e Letërsisë Krahasuese! Zyrtarët maqedonas do të thoshin se paska startuar mësimi i lëndës së gjuhës së “25 përqindëshit”!
Bashkësia Evropiane është shumë e lumtur dhe krenare që brenda vetes ka një prej pasurive më të mëdha të botës – shumëllojshmërinë gjuhësore! Një prej prioriteteve në politikat kulturore të Evropës është ruajtja dhe studimi i gjuhëve të vjetra. Për komunitetin evropian është mrekulli që letërsia e hershme, e shkruar me një gjuhë mijëvjeçare, të lexohet sot me po atë gjuhë që është trashëguar, që është ruajtur dhe që është investuar në ruajtjen e origjinalitetit të vet.
Pa dyshim, Gjuha Shqipe është një prej gjuhëve më të vjetra në Evropë e më gjerë! Shkencëtarët e gjuhësisë, albanologët dhe njohësit e gjuhëve të hershme, sot flasin pa kurrfarë kompleksi se nuk ka fjalë nga gjuhët antike në rajonin tonë, të cilat rrënjët nuk i kanë në fjalët e gjuhës së vjetër shqipe! Pra, pa njohjen e gjuhës së vjetër shqipe vështirë se mund të deshifrohen mbishkrime, gjurmë shkrimesh të hershme, fjalë të gdhendura nëpër gjetje arkeologjike etj.
Evropa konsideron se ruajtja e gjuhëve antike, investimi në kultivimin e tyre, në studimin e tyre, në konzervimin e tyre në formën origjinale, paraqet një prej pasurive më të rëndësishme të Kontinentit. Në këtë kontekst, për nga aspekti shkencor, trajtohet edhe Gjuha Shqipe. Kjo shihet sidomos përgjatë ditëve të Seminarit ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsi dhe Kulturë Shqiptare të orgaizuar nga Fakulteti Filologjik i UP-së! Për nga aspekti politik, Evropa (sikundër edhe shtetet shqiptare!) akoma nuk i ka treguar muskujt e vet në ruajtjen, në trajtimin dhe në respektimin e Gjuhës Shqipe si një ndër gjuhët antike dhe ndër më të vjetrat në Evropë!
Është e patolerueshme që edhe sot e kësaj dite ndaj Gjuhës Shqipe të ekzistojnë politika shoviniste dhe të mbajnë qëndrime institucionale kundër kësaj Gjuhë që e emërtojnë zyrtarisht si “gjuhë që flitet nga 25 përqindëshi i bashkësisë etnike jomaqedonase”! Bashkësia Evropiane nëse nuk dëshiron të ndikojë politikisht mbi qëndrimet identitare, kulturore, politike maqedonase, të paktën duhet t’ua bëjnë me dije se pa trajtimin e Gjuhës Shqipe si gjuhë më e vjetër në rajon dhe më gjerë, pa respektimin e kësaj gjuhe duke e zyrtarizuar dhe institucionalizuar gjithandej, nuk ka kyçje në komunitetin kontinental ku gjuhët antike trajtohen si pasuri e veçantë e shoqërisë së gjerë.
Duke e respektuar Gjuhën Shqipe, duke e bërë shtetin dhe shoqërinë krenare për faktin që këtu flitet zyrtarisht dhe përdoret gjerësisht një prej gjuhëve më të vjetra në Evropë e më gjerë, kjo nuk do të thotë se do të dobësohet uniteti etnik i kombit më të ri në Kontinent, siç janë maqedonasit. Duke e trajtuar gjuhën shqipe si pasuri kulturore shtetërore, në fakt, Maqedonia e Veriut do të ishte investitore praktike në kulturën e gjallë.
Heqja dorë nga politikat megalomane dhe shoviniste, përkushtimi nacional në riedukimin e brezave të ri maqedonas, të kuptuarit dhe të pranuarit me lehtësi nga ana e tyre se gjuha shqipe është perlë kulturore shtetërore dhe se duhet të ruhet dhe të kultivohet me një xhelozi të veçantë, do të ishte një dëshmi praktike se shoqëria maqedonase është pjesë e popullit evropian! Cilido politikan, i cilitdo nivel shtetëror, që do të ketë rastin të ligjërojë apo të mbajë fjalim nëpër forume, pranë studentëve apo në debate shkencore, do të duhej me krenari ta nënvizonte faktin se në Maqedoninë e Veriut flitet institucionalisht një prej gjuhëve më të vjetra në botë – Gjuha Shqipe dhe se shteti investon që në këtë vend të ruhet dhe të flitet shqipja e pastër për dallim prej shqipes që flitet nëpër viset e tjera etnike dhe gjithandej në botë! Duke e mohuar këtë gjuhë, duke e urryer institucioalisht, nuk mund të dëshmosh superioritetin kulturor dhe as vlerat kulturore nacionale!
Potenciali nacional nuk përplotësohet me kufizime gjuhësore por me mbledhjen e sa më shumë gjuhëve që flitet në një territor të caktuar. Ta respektosh sot Gjuhën Shqipe, ta trajtosh atë si gjuhë zyrtare dhe institucionale, për shembull në Maqedoninë e Veriut, është kulturë, dëshmon identitet kulturor me shumë vlera, të cilat, do të trajtohen e respektohen në po të njëjtën masë. Pra, Gjuha Shqipe në këtë shtet nuk duhet të ketë “institucione ndëshkuese” shqiptare që do të marrin masa kundër atyre që nuk e trajtojnë si duhet gjuhën e “25 përqindëshit”! Gjuha Shqipe ka nevojë për respektin e dinjitetshëm nacional dhe shtetëror si ndaj një gjuhë që është perlë linguistike botërore. /HEJZA/