Të shtëna me armë janë raportuar mesidtën e kësaj të hëne pranë urës së Milotit.
Sipas informacioneve paraprake bëhet me dije se të plagosur kanë mbetur tre vëllezër, dy prej të cilëve me sende të forta dhe një me armë.
Dyshohet se konflikti mes dy familjeve në fshatin Fushë-Milot ka ndodhur për motive pronësie, në lidhje me një sipërfaqe me ullinj.
Policia ka arrestuar autorin e plagosjes i cili dyshohet të jetë shtetasi Sokol Murati, por dhe vëllanë e tij Pëllumb Murati. Në kërkim është shpallur djali i Sokolit, 32-vjeçari, Valdano Murati, i cili dyshohet të ketë marrë pjesë në konflikt.
Të tre të dëmtuarit janë aktualisht në spital, në kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të këtij rasti.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, me marrjen e njoftimit se në fshatin Fushë Milot, po ndodhte një konflikt mes disa shtetasve, për motive pronësie dhe gjatë konfliktit kishte mbetur i plagosur me armë zjarri një shtetas dhe ishin plagosur me sende të forta dy të tjerë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë.
Nga veprimet e para në vendngjarje rezultoi se në konflikt ishin përfshirë dy familje, për motive pronësie. Konflikti kishte nisur fillimisht me sende të forta dhe më pas në përdorim të armës së zjarrit.
Shtetasi S. M., djali i tij V. M. dhe shtetasi P. M., vëllai i shtetasit S. M., ishin konfliktuar me sende të forta për motive pronësie me tre vëllezërit shtetasit Y. V., S. V. dhe E. V.
Si pasojë e konfliktit janë dëmtuar me sende të forta shtetasit Y. V. dhe S. V., si dhe është plagosur me armë zjarri shtetasi E. V. (të tre vëllezër).
Shërbimet e Policisë vendore, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, kanë bërë të mundur kapjen, shoqërimin në Komisariat dhe arrestimin e shtetasve S. M. dhe P. M., si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin V. M.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. M., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi municioni luftarak.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. M.”, thuhet në njoftimin e policisë.