Vendet e BE-së duhet të ndërmarrin veprime urgjente për të zgjeruar listën e furnizuesve të tyre me teknologjinë 5G, tha Komisioni Evropian të premten.
Shtetet e Bashkuara po i nxisin vendet evropiane të ndjekin shembullin e Britanisë së Madhe e cila vendosi të largojë nga rrjeti i saj 5G, kompaninë kineze Huawei. Në nëntor të vitit të kaluar, BE-ja ra dakord të mbajë një qëndrim të ashpër mbi kushtet e furnizuesve të rrjetit 5G për të zvogëluar rreziqet e sigurisë në internet. Strategjia përfshinte uljen e varësisë së vendeve dhe operatorëve të telekomit nga një furnizues.
Prodhuesi lider i pajisjeve të telekomit në botë, Huawei, garon në treg me Nokia-n e Finlandës dhe Ericsson-in e Suedisë. “Duhet urgjentisht të zvogëlohet varësia nga furnizuesit me rrezik të lartë”, tha ekzekutivi i BE-së. Komisioni gjithashtu u bëri thirrje 13 vendeve të BE-së që të miratojnë mekanizmin e kontrollit të investimeve të huaja direkte, një mjet i cili lejon qeveritë e BE-së, të ndërhyjnë në rastet e investimeve të huaja direkte në asetet strategjike, veçanërisht nëse përfshihen ndërmarrje të kontrolluara nga shteti ose të financuara nga shteti. Shtetet e Bashkuara thonë se kompania Huawei e Kinës është e lidhur me qeverinë kineze. Rrjeti 5G paraqet gjeneratën e fundit të lidhjes së telefonave të mençur me internet dhe ofron shpejtësi të shkarkimin shumëfish më të shpejt sesa ekziston aktualisht.