Një tjetër vendim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë që marrëdhëniet me Kinën të tensionohen gjithnjë e më shumë. SHBA ka urdhëruar Kinën të mbyllë konsullatën e saj në Houston të Teksasit. Ky vendim erdhi nga Departamenti i Shtetit që thekson se është ndërmarrë për të mbrojtur pronën intelektuale amerikane.
Më parë, individë të paidentifikuar ishin filmuar teksa digjnin letra në disa kontenjerë në oborrin e ndërtesës së Houston. Sipas asaj që raporton BBC, SHBA-të nuk do e tolerojnë shkeljen e sovranitetit nga taktikat që përdor Republika Popullore Kineze
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin paralajmëroi se Pekini do të hakmerret nëse SHBA-të nuk e ndryshojnë vendimin e tyre. Kina e ka cilësuar këtë veprim si një provokim politik dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar.
Tensionet mes SHBA-së dhe Kinës gjatë kohëve të fundit janë rritur gjithnjë e më shumë.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump në mënyrë të përsëritur e ka akuzuar Pekinin se ka fshehur përhapjen e pandemisë duke e cilësuar atë si një kukull të OBSH duke e futur botën në një kolaps.
Jo vetëm kaq, por kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka dënuar edhe ligjin për sigurinë në Hong Kong që Kina një muaj më parë miratoi për t’i dhënë fund tradhtisë, rebelimit dhe përmbysjes.