Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përmbyllur vizitën zyrtare në Slloveni pas takimit me kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Miro Cerar.
Thaçi dhe Cerar diskutuan për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në perspektivën evropiane të rajonit.
Zëvendëskryeministri Thaçi kërkoi, që marrëdhëniet të zgjerohen edhe në sferën e ekonomisë, si dhe inkurajoi investitorët sllovenë të investojnë në Kosovë.
“Sllovenia është ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë, me rreth 250 kompani sllovene prezente, që kanë hapur rreth 2000 vende pune, me histori suksesi si IPKO dhe NLB. Kosova ka potenciale të pashfrytëzuara dhe Sllovenia ka përvojën dhe mundësitë për të bashkëpunuar ekonomikisht me ne”, ka thënë Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se Bashkimi Evropian nuk duhet të vonohet me Kosovën dhe se është e rëndësishme, që BE-ja të hapë dyert jo vetëm për të por për të gjithë rajonin.
Ndërsa kryeministri i Sllovenisë, Cerar u shpreh se Sllovenia mbështet perspektivën evropiane të gjithë rajonit dhe se do të nxisë që BE-ja të jetë edhe më aktive në Ballkanin Perëndimor.
Hashim Thaçi vizitoi Slloveninë pas vizitës zyrtare në Kroaci. Në Lubjanë, zëvendëskryeministri Thaçi u takua fillimisht me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Karl Erjavec, me të cilin përveç bashkëpunimit bilateral, bisedoi edhe për rritjen e shkëmbimit ekonomik dhe tregtar në mes të dy shteteve.
Më pas, zëvendëskryeministri Thaçi u prit në takim nga Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, me të cilin diskutoi rreth synimeve të Kosovës për hapjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit me NATO-n, duke lëvizur drejt Partneritetit për Paqe, si instrumenti kryesor për anëtarësim të plotë. Në këtë drejtim, Thaçi kërkoi mbështetjen sllovene në procesin integrues të Kosovës në BE dhe NATO.