Shkëlqim Muça nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi bardheblu, përmes një njoftimi në faqen e internetit, ku sqarohet se rezultatet e dobëta janë arsyeja e mbylljes së bashkëpunimit me trajnerin e rikthyer në stolin e skuadrës vetëm në fillim të sezonit.
Sipas njoftimit për shtyp, përkundër pritshmërive, Muça mblodhi vetëm 40% të pikëve të mundshme, një ecuri e vlerësuar aspak pozitive nga klubi.
Barazimi i sotëm ndaj Flamurtarit në “Qemal Stafa”, për më tepër kur skuadra po e kryesonte ndeshjen, duket se ka qenë rezultati i dobët i radhës që ka vulosur fatin e Muçës.
Në njoftimin e klubit nuk ka sqarime se cili do të jetë trajneri i përkohëshëm i skuadrës, apo nuk përmenden emra kandidatësh të mundshëm, ndërkohë që nuk ka përfunduar ende faza e parë e sezonit.