Biden: Maska në çdo ambient në 100 ditët e para të administratës së re
24-orëshi i fundit shënoi rekorde të reja globale të pandemisë së Covid-19. Mbi 679 mijë janë të infektuarit e rinj dhe gati 12,700 viktimat.
Rekordet më të larta ditore u shënuan në Shtetet e Bashkuara, ku pati 218 mijë raste të reja infektimesh dhe mbi 2,900 viktima.
Nisur nga këto shifra, presidenti i zgjedhur Joe Biden tha se në 100 ditët e para të administratës së re do të vendosë mbajtjen e detyrueshme të maskave, duke shprehur bindjen se kjo do të sjellë reduktim drastik të infektimeve të reja.
Numri i dytë më i lartë i viktimave u shënua në Gjermani me 479 raste. Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn bëri thirrje për ashpërsimin e masave në zonat me shifrat më të larta të pandemisë, për të frenuar ritmet e përhapjes.
Këtë të premte, Austria nisi aplikimin e metodës së testimit masiv, që e nxjerr përgjigjen e brenda 24 orëve. Të gjithë qytetarët që dyshojnë për infektim mund të kryejnë teste në pika të caktuara nëpër qytete.
24-orëshin e fundit edhe Italia shënoi një rekord të ri viktimash edhe pse infektimet e reja janë në nivele të ulta dhe të qëndrueshme krahasuar me rekordet e mesit të Nëntorit.