Shtatë persona humbën jetën, ndërsa 1 milionë mbeten pa energji, stuhia pritet t’i drejtohet Miçiganit dhe Nju Jorkut
Stuhitë dhe tornado sërish kanë shkaktuar probleme në disa pjesë të jugut të SHBA-së. Shtatë persona kanë humbur jetën ndërsa 1 milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.
Shërbimi Kombëtar i Motit tha se stuhia e fuqishme po lëvizte në verilindje dhe do të shkaktonte borë të dendur nga lindja e Miçiganit deri në Nju Jork. Disa zona në Nju Jork dhe New England mund të shikojnë borë mbi 60 cm.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear tha se të paktën dy tornado shkatërruan pjesën perëndimore të shtetit. Beshear u shpreh në mediat sociale se të paktën dy persona humbën jetën nga moti i keq. Përveç tornadove, stuhitë në Kentaki po shoqërohen me erëra deri në 128 km/h mjaftueshëm për të rrëzuar traktorë në rrugë.
Bora e madhe mbuloi gjithashtu edhe vendpushimin e skive Palisades Tahoe mes kushteve të ashpra të motit në Kaliforni. Sipas zyrtarëve, Palisades Tahoe rregjistroi 96 cm borë ditët e fundit. Javën e kaluar, Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi një paralajmërim për stuhi dëbore për Los Anxhelosin, paralajmërimi i parë i stuhisë që nga viti 1989.
Ndërkaq moti i keq ka përfshirë edhe Toronton në Kanada. Stuhia e borës e shoqëruar me bubullima bëri që fluturimet të anuloheshin për shkak të dukshmërisë shumë të ulët. Gjithashtu meterologët parashikojnë se bora pritet të arrijë në 20 cm.
Stuhitë e janë bërë të shpeshta në jug të SHBA-së në muajt e dimrit, pasi ajri i ngrohtë dhe i lagësht del nga Gjiri i Meksikës dhe përplaset me ajrin më të ftohtë që lëviz nga veriu.