Një grua me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë në Bronks të Nju Jorkut pasi u përplas nga një makinë. Aksidenti i rëndë ndodhi shumë pranë shtëpisë së 59-vjeçares Paulina Ndrecaj, e cila kishte dalë për të blerë pica. Ajo u godit nga një makinë teksa ecte në trotuar të premten. Mjeti, i cili hipi mbi trotuar, e përplasi gruan drejt një gardhi metalik dhe për pasojë shqiptarja u ça nga një shufër hekuri. Ndrecaj u dërgua në spital, por ndërroi jetë teksa po operohej.
Lajmi i trishtë është konfirmuar nga vajza e saj 32-vjeçare e cila për mediat amerikane ka thënë se mamaja e saj nuk e meritonte këtë vdekje.
“Ishte një grua e mirë dhe e ëmbël. Nuk e meritonte këtë. Ishte katër hapa larg nga shtëpia”, është shprehur Diana. Paulina ishte nënë e tre fëmijëve dhe kishte një nip. Diana ka treguar më tej se babai i saj ka qenë në shtëpi kur ka dëgjuar aksidentin dhe ka shkuar me vrap në vendin e ngjarjes pasi ka dëgjuar një zhurmë të fortë. Fran Ndrecaj, 71 vjeç, tha se e kuptoi që në fillim që gruaja e tij, me të cilën kishte 40 vjet i martuar, nuk do ia dilte dot.
“I kishin rënë të fikët. Kishte humbur shumë gjak, gjak i cili i dilte nga goja dhe nga hundët”, ka rrëfyer Ndrecaj.
Bashkëshorti tregoi se së fundmi gruaja e tij e ndjerë kishte festuar ditëlindjen.
“Për mua ishte një person i mrekullueshëm. Më rriti fëmijët. Ishte perfekte. Fëmijët ishin të lumtur me jetët e tyre, edhe ajo ishte e lumtur”, rrëfeu 71-vjeçari.
I pari që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka qenë 32-vjeçari Sall Arobye, një shofer Uber, i cili jetonte në rrugën tjetër. Ai e ndihmoi Paulinën që ta largonte nga gardhi dhe e siguroi atë që do të ishte mirë.
“Më tha: Mendon se do t’ia dal?”. Unë i thashë, “patjetër që mund t’ia dalësh, qëndro e fortë””, ka treguar ai, i cili shton se gruaja e plagosur e ka falenderuar ndërkohë që ishte në atë gjendje.
“Është e tmerrshme. Më duket sikur e kam gënjyer. Ajo nuk ia doli dot. Ndihem i trishtuar”, u shpreh ai.
Arobye, u udhëzua nga një infermiere 35-vjeçare e cila rastisi të kalonte në vendin e ngjarjes kur Ndrecaj u godit.
“Ajo kishte një plagë të madhe në bërrylin e majtë dhe i dilte gjak nga barku. E dija që kishte gjakderdhje të brendshme, kështu që unë mendova që të mos e lëviznim”, është shprehur infermierja.
Një fqinje 34-vjeçare, e quajtur Vanessa Gonzalez, e ka njohur Paulinën që prej kur ka lindur. Ajo është shprehur e trishtuar për New York Post dhe tha se Paulina ishte një person me një zemër të veçantë.
“Pasi më vdiq babai, ajo ishte mike e shkëlqyer e mamasë sime”, tha Gonzalez.
Miq dhe të afërm të viktimës ndezën qirinj dhe vunë lule në vendin ku ndodhi ngjarja të shtunën.
Diana Ndrecaj ia ka vënë fajin një korsie biçikletash të sapo instaluar jashtë ndërtesës. Sipas saj konfigurimi i ri në rrugë ngatërron shoferët.
“E shihni? Duket sikur janë të parkuara dyfish, apo jo? I huton njerëzit. Nuk ka pasur kurrë një aksident këtu. Ai ndoshta ka kërcyer bordurën,” tha ajo.
Shoferi i makinës që shkaktoi aksidentin tha se hipi në trotuar pasi devijoi për të shmangur goditjen e një furgoni të ndaluar në kryqëzimin e rrugëve Bronxdale dhe Cruger. Ai u dërgua në polici dhe autoritetet thanë se përplasja duket të ketë qenë aksidentale. Mjeti në fjalë kishte 168 shkelje, duke përfshirë 20 shkelje për shpejtësi në zonat shkollore.