Të tjera fakte po dalin në dritë për rrëzimin tragjik të avionit rus, incident ky që përfundoi me një bilanc tragjik prej 224 viktimash, përfshirë 17 fëmijë.
Sipas kreut të Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit rus, Viktor Sorochenko, ka prova që tregojnë se Airbus A320 “është shpërbërë në ajër” dhe “copat e tij janë shpërndarë në tokë”.
Avioni u rrëzua në minutën e 23-të në Gadishullin Sinai të Egjiptit në fluturimin e tij nga Sharm el-Sheikh drejt Shën Petersburgut, ku shumica e pasagjerëve ishin turistë rusë.
Ndërkaq, sipas zyrtarëve egjiptianë, gjithçka ishte në rregull me avionin deri në momentin që ai doli jashtë radarit. Por, të dyja palët hodhën poshtë pretendimin e militantëve të ISIS se ishin ata përgjegjës për tragjedinë.
Në aeroportin “Pulkovo” te Shën Petersburgut, ku avioni do ta kishte si destinacion final, u mbodhën të afërmit e viktimave, të cilët bënë homazhe për të dashurit e tyre.
Por, sipas disa ekspertëve të tjerë të aviacionit mbetet ende e paqartë se çfarë e shkaktoi që fluturimi 9268 të dalë papritmas jashtë radarit, në një mot të kthjellët, pas vetëm 23 minutave në ajër dhe të përplaset në tokë.
Megjithatë prej disa kohësh, grupe radikale islamike kanë kërcënuar se do të sulmojnë objektiva ruse, që kur Kremlini filloi operacionin ajror kundër forcave të ISIS në Siri .
Por, skeptikët kanë dyshime se militantët kanë armë kaq të avancuara sa të jenë në gjendje të rrëzojnë një avion nga një lartësi aq e madhe.
Kompania ajrore “Lufthansa”, “Air France” dhe “Emiratet” deklaruan se do të shmangin si rrugë për të arritur në destinacion rrugën e Sinait, derisa aksidenti të bëhet i qartë.