Raportim Live 19:59, 7 Shtator 2024Përditësuar 23:05, 7 Shtator 2024
Shqipëria mposhti për herë të parë në histori Ukrainën, me rezultatin 2-1.
Pas gjashtë ndeshjeve në të kaluarën, ku Kombëtarja shqiptare ishte mposhtur pesë herë dhe kishte barazuar në një rast ndaj ukrainasve, kuqezinjtë ia dolën ta thyejnë si “tabu”, duke marrë triumfin e parë.
Skuadra e Silvinjos fitoi me përmbysje, duke nisur Ligën e Kombeve me këmbën e mbarë.
Sukses i merituar për Kombëtaren shqiptare, që ishte dominuese në këtë takim. Pavarësisht rasteve të shumta për shënim nga Shqipëria, pjesa e parë u mbyll me rrjeta ta paprekura.
Fraksioni i dytë nisi me gol për ukrainasit, që shënuan me Konoplian në minutën e 49-të.
Kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe barazuan shumë shpejt, pas vetëm 4 minutash me Ismajlin.
Në minutën e 66-të, Jasir Asani shënoi golin e avantazhit për Shqipërinë, duke përmbysur rezultatin, të cilin e mbrojtën deri në fund.
Kjo është fitorja e parë për Shqipërinë në Ligën e Kombeve, kompeticion të cilin e nis në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pjesë e grupit B1, së bashku me Shqipërinë dhe Ukrainën, janë edhe Çekia e Gjeorgjia. Me këta të fundit, përballemi pas 3 ditësh në “Air Albania”.