1 i vrarë dhe 4 të plagosur është bilanci tragjik i të shtënave me armë në një lokal në kryeqytet këtë të martë.
Viktima është Erion Çela, 35-vjeç. Ndërsa të plagosur mbetën vëllai i tij, Blerim Çela 28 vjeç, Arben Danin 46 vjeç, Azbi Selimaj, 19 vjeç dhe Edmond Crroj 41 vjeç. Të katërt personat në fjalë ndodhet në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.
E gjithë ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal në zonën e Don Boskos, për arsye ende të panjohura. Zyrtarisht policia tha se autorët, identiteti i të cilëve nuk dihet, hapën zjarr nga jashtë lokalit, në kohën kur të 5 personat që ranë pre e plumbave ndodheshin të ulur në tavolinë.
Pas ngjarjes, autorët u larguan me makinë dhe aktualisht policia po punon për kapjen e tyre.
“Më datë 04.01.2022, rreth orës 16:15, në “Don Bosko”, në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas. Si pasojë e të shtënave, shtetasi Erion Çela, 35 vjeç ka humbur jetën, dhe janë plagosur shtetasit Arben Dani, 46 vjeç, Azbi Selimaj, 19 vjeç, Blerim Çela, 28 vjeç dhe Edmond Crroj, 41 vjeç. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, tha Policia e Tiranë në një informacion paraprak për ngjarjen.
Ndërkohë, tvklan.al solli pamje live nga vendi i ngjarjes.