Presidenti amerikan nga Riadi: Do të rivendosim marrëdheniet mes dy vendeve
Presidenti Donald Trump njoftoi se po planifikon të heqë sanksionet ndaj Sirisë pas rënies së regjimit të Asadit vitin e kaluar.
Kjo konsiderohet një fitore e rëndësishme për qeverinë siriane të udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa, i cili është në pushtet. Ka të ngjarë që kjo të shihet si një goditje nga qeveria izraelite, e cila përshkallëzoi përparimet ushtarake dhe territoriale në Siri pas rënies së Asadit.
Në një fjalim drejtuar një forumi investimesh saudite në Riad, Trump tha se e mori vendimin pasi diskutoi me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, si dhe me Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.
“Në Siri ka një qeveri të re që shpresojmë se do të ketë sukses në stabilizimin e vendit dhe ruajtjen e paqes. Ata kanë pasur prej vitesh luftë dhe masakra. Kjo është arsyeja pse administrata ime ka ndërmarrë tashmë hapat e parë drejt rivendosjes së marrëdhënieve normale midis Shteteve të Bashkuara dhe Sirisë, për herë të parë në më shumë se një dekadë. Do të urdhëroj ndërprerjen e sanksioneve kundër Sirisë në mënyrë që t’u jap atyre një shans për madhështi”, është shprehur Presidenti Trump.
Trump u takua me kreun e Sirisë Ahmed al-Sharaa në Riad. Kjo është hera e parë që udhëheqësit e të dy vendeve takohen që nga viti 2000, por zyra e Trump tha se u takuan vetëm për t’u “përshëndetur”. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, iu bashkua takimit midis Donald Trump, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe Ahmed al-Sharaa nëpërmjet një lidhjeje video online, sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të ashpra ndaj Sirisë gjatë sundimit të Bashar al-Assad dhe i kishin mbajtur ato në fuqi që kur ai u rrëzua nga pushteti në dhjetor pas më shumë se 13 vitesh luftë. Arabia Saudite ka qenë një zë kryesor që ka kërkuar heqjen e sanksioneve.


