Tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian po rriten sërish, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar vendosjen e tarifave deri në 35% ndaj produkteve europiane, nëse Brukseli nuk zbaton plotësisht marrëveshjen për investime dhe import të gazit amerikan.
“Shtetet e Bashkuara i ofruan Europës një ulje tarifash në këmbim të investimeve prej 600 miliardë dollarësh në SHBA dhe një angazhim për të blerë 750 miliardë dollarë gaz të lëngshëm brenda tre vitesh. Nëse nuk e përmbushin këtë marrëveshje, tarifat do të rriten në 35%”, deklaroi Trump për CNBC. Presidenti shtoi se këto fonde janë tashmë në duart e tij dhe mund t’i përdorë si të dojë.
Paralajmërimi i ri i Trump vjen në prag të hyrjes në fuqi të tarifës së re prej 15% për shumicën e produkteve europiane, e vendosur me një urdhër ekzekutiv të nënshkruar më 31 korrik. Në të njëjtën kohë, Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave deri në 250% për barnat e importuara, në përpjekje për të kthyer prodhimin farmaceutik në territorin amerikan dhe për të ulur çmimet e larta të medikamenteve.
“Do të filloj me një taksë të ulët, pastaj do ta rris në 150% dhe në fund në 250%”, u shpreh Trump, duke shtuar se masat mund të shpallen brenda një jave.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian po përpiqet të shmangë përshkallëzimin e konfliktit tregtar. Komisioni Europian ka vendosur të pezullojë për gjashtë muaj masat hakmarrëse që parashikonin tarifa për 93 miliardë dollarë mallra amerikane. Vendimi kërkon miratimin e shteteve anëtare brenda dy javësh dhe mbetet i përkohshëm, pasi kundërmasat mund të rikthehen nëse situata përkeqësohet.
Megjithatë, brenda BE-së nuk mungojnë përçarjet. Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, ka shprehur pakënaqësi për marrëveshjen me SHBA-të, duke e cilësuar atë “të dobët” dhe duke paralajmëruar se Gjermania do të kërkojë një marrëveshje dypalëshe për çelikun. Kjo qasje ka ngjallur reagime në Bruksel, ku zyrtarët kujtojnë se BE-ja ka kompetenca ekskluzive në fushën tregtare dhe se një zgjidhje e negociuar mbetet e vetmja rrugë për të mbrojtur interesat e përbashkëta.
Ndërkohë, zyrtarë të BE-së konfirmojnë se negociatat për një deklaratë të përbashkët me SHBA-të janë shumë të avancuara dhe teksti është pothuajse gati. Komisioneri europian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, deklaroi se është në kontakt të rregullt me Sekretarin amerikan të Tregtisë dhe përfaqësuesin për marrëveshje tregtare, duke theksuar se “puna po vijon me një frymë konstruktive”.
Pavarësisht kësaj, Brukseli mbetet i kujdesshëm. Ekziston pritshmëria që tarifa 15% të shtrihet së shpejti edhe për makinat europiane, të cilat aktualisht përballen me një tarifë prej 27.5%. Ndërsa në SHBA, pavarësisht rritjes së PBB-së me 3% në tremujorin e dytë dhe rënies së deficitit tregtar me 16%, shqetësimet për inflacionin dhe tregun e punës vijojnë të ndikojnë negativisht në ecurinë ekonomike.


