Akuza për tradhti në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-ës
Presidenti Donald Trump ka kërkuar publikisht që paraardhësi i tij, Barack Obama, të hetohet dhe të ndiqet penalisht. Madje sipas Trump edhe të dënohet me burg për tradhti. Akuza lidhet me dyshimet se Obama ka urdhëruar shërbimet sekrete amerikane të falsifikojnë dokumente për të provuar se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, me qëllim favorizimin e zgjedhjes së Trump.
Kjo deklaratë e fortë vjen në një moment të trazuar për administratën Trump, e cila po përballet me kritika të ashpra për shkak të dështimit për të zbardhur plotësisht dosjen e Jeffrey Epstein. Ndërsa kjo temë ka shkaktuar pakënaqësi të madhe brenda lëvizjes së tij politike “MAGA”, Trump duket se ka zgjedhur të zhvendosë vëmendjen duke hapur një konflikt të ri me Obamën.
Tensionet u rritën ndjeshëm pasi drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, në një konferencë për shtyp së bashku me zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se kishte prova që implikojnë administratën Obama në një komplot të qëllimshëm.
“Administrata Obama nuk i përmbushi standardet e komunitetit të inteligjencës. Populli amerikan meriton të dijë të vërtetën dhe të kërkojë drejtësi,” tha Gabbard. Ajo bëri të ditur se këto të dhëna janë përcjellë tashmë në Departamentin e Drejtësisë dhe në FBI, që kanë nisur hetimet për çështjen.
Zëdhënësja Leavitt shtoi se Obama duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij, duke lënë të hapur edhe mundësinë e burgimit të tij, pavarësisht se Gjykata e Lartë së fundmi ka vendosur që presidentët gëzojnë imunitet për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës, një vendim i kërkuar nga vetë Trump për të shmangur ndjekjen penale lidhur me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
Skandali Epstein mbetet një plagë e hapur për Trump, pasi mospublikimi i të gjitha dokumenteve mbi aktivitetin e paligjshëm të financierit të ndjerë dhe vdekjen e tij të dyshimtë në burg më 2019 ka nxitur pakënaqësi të thella brenda bazës së tij politike. Madje, Stewart Rhodes, themelues i milicisë së ekstremit të djathtë “Oath Keepers”, i cili i shpëtoi burgut vetëm falë një faljeje presidenciale nga Trump, e paralajmëroi se shmangia e kësaj çështjeje “mund të sjellë pasoja të rënda për lëvizjen MAGA”.
Në përpjekje për të shmangur përqendrimin e medias tek Epstein, Trump ka ndërmarrë disa veprime të paprecedenta. Ai ka paditur gazetën Wall Street Journal dhe pronarin e saj, Rupert Murdoch, për publikimin e një letre të turpshme që Trump i kishte dërguar Epstein-it. Po ashtu, ka kërkuar publikimin e dokumenteve sekrete të një jurie të madhe që e kishte akuzuar atë, kërkesë që u refuzua nga një gjyqtar në Florida. Ndërkohë, Trump ka urdhëruar ish-avokatin e tij dhe aktualisht zëvendëssekretar të Drejtësisë, Todd Blanche, të takohet në burg me Ghislaine Maxwell, ish-partneren e Epstein, për të marrë dëshmi për krime të mundshme ende të pahetuara.
Për të intensifikuar më tej fushatën e tij politike dhe për të mobilizuar përkrahësit, Trump publikoi një video të krijuar me inteligjencë artificiale, në të cilën paraqitet arrestimi i Obamës. Më pas, kërkoi nga Gabbard që të ndërmarrë hapa ligjorë për ta akuzuar ish-presidentin për shkelje të ligjit.
Megjithatë, sipas analizave të mëparshme të komunitetit të inteligjencës, Rusia nuk është akuzuar për manipulim të drejtpërdrejtë të votave në zgjedhjet e vitit 2016, por për ndërhyrje përmes përhapjes së dezinformatave dhe publikimit të email-eve të vjedhura nga fushata e Hillary Clinton. Këtë qëndrim e kishte mbështetur edhe senator Marco Rubio, ish-kryetar i Komisionit të Inteligjencës në Senat. Sipas Gabbard, Rusia ka ndërhyrë për të krijuar destabilitet në SHBA, jo domosdoshmërisht për të ndihmuar Trumpin të fitojë, një narrativë që ajo e quan të fabrikuar nga vetë Obama dhe që, sipas saj, justifikon hetimin e tij.
I pyetur për këtë situatë, zëdhënësi i Barack Obamës u shpreh: “Në respekt të institucionit të presidencës, zakonisht nuk i përgjigjemi një lumi të pafundëm dezinformatash dhe deklaratash të pabaza që vijnë nga Shtëpia e Bardhë. Por këto akuza janë aq të turpshme, saqë meritojnë një përgjigje. Janë të pabaza, qesharake dhe një përpjekje e dëshpëruar për të larguar vëmendjen nga problemet reale.”
Megjithatë, duke nisur nga dita e djeshme, akuzat janë shndërruar në një kallëzim zyrtar për ndjekje penale ndaj ish-presidentit Obama. Situata mbetet e tensionuar dhe me pasoja të paparashikuara për skenën politike amerikane.


