Pas dështimit të Joe Biden në debatin me Donald Trump, janë shtuar zërat se presidenti aktual i SHBA ka probleme mendore.
Vetë Biden jo vetëm që ka mohuar që të ketë një problematikë të tillë, por edhe që të japë dorëheqjen nga gara presidenciale.
Por pas këtyre deklaratave, Trump e ka sfiduar sërish Biden dhe e fton në një debat të dytë, por këtë herë pa moderator.
“I korruptuar, i paaftë, me probleme mendore”, kështu e ka cilësuar republikani presidentin aktual.
Gjatë fjalimit të tij, para mbështetësve në Miami, Trump akuzoi kundërshtarin e tij se po zhdukej rregullisht nga Zyra Ovale, duke e lënë djalin e tij Hunter, i cili u dënua për armëmbajtje pa leje, të drejtonte SHBA-në me ndihmën e zonjës së parë Jill Biden .
Përveç kësaj, Trump e sfidoi Biden dhe i bëri një tjetër ftesë.
“Le të kemi një debat më shumë këtë javë në mënyrë që Sleepy Joe t’u tregojë të gjithëve kudo në botë se ai ka atë që duhet për të qenë president. Por këtë herë do të jetë njeriu për njeriun, pa moderator, pa kufizime, më tregoni vendin, kurdo dhe kudo”, nënvizoi ai.
Republikani i ofroi kundërshtarit të tij edhe një ndeshje golfi: “Nëse fiton, unë do të jap bamirësinë e zgjedhur prej tij, kushdo qoftë, një milion dollarë. Por vë bast se ai nuk do ta pranojë sfidën”.
Nga ana e tij, ekipi i fushatës së Bidenit u përgjigj se presidenti amerikan është shumë i zënë me qeverisjen e vendit për t’iu përgjigjur “marrëveshjeve budallaqe” të Trump.
“Ne do ta sfidonim Trumpin për të krijuar vende pune, por ai humbi tre milionë. Ne do ta sfidonim Trumpin që t’i kundërvihej (Presidentit rus Vladimir) Putin , por ai u gjunjëzua para tij”, tha James Singer, një zëdhënës i fushatës zgjedhore të presidentit amerikan.