Trump tha se Hamas nuk dëshiron marrëveshje, Hamasi: Deklaratat e Trumpit tronditën të gjithë botën

Hamasi i ka hedhur poshtë dhe i ka quajtur “tronditëse” deklaratat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili akuzoi grupin islamist palestinez se nuk dëshiron një marrëveshje armëpushimi në Gaza.

Presidenti i SHBA-së deklaroi dje se Hamasi “nuk dëshiron një marrëveshje” pas dështimit të negociatave indirekte me Izraelin të mbajtura në Doha.

I dërguari i tij, Steve Witkoff, pranoi të enjten se bisedimet, të cilat kanë vijuar për më shumë se dy javë me ndërmjetësimin e Katarit, Shteteve të Bashkuara dhe Egjiptit, kanë dështuar. Ai vuri në dyshim qëllimet e mira të Hamasit.

“Deklaratat e presidentit amerikan dhe të dërguarit të tij tronditën të gjithë botën”, tha për AFP-në, Taher al-Nunu, një zyrtar i lartë i Hamasit.

“Ato janë edhe më të habitshme sepse vijnë pasi është bërë përparim në disa nga çështjet që ishin në proces negociatash”, shtoi ai.

Sipas një zyrtari tjetër të Hamasit, Izzat al-Rishek, Uashingtoni “po mbyll sytë ndaj pengesës reale për çdo marrëveshje, e cila është qeveria e Benjamin Netanyahut”.

Sipas Rishek, Hamasi po demonstron “fleksibilitet” dhe gjithçka që donte ishte të “sqaronte” aspekte të caktuara të planit të propozuar nga SHBA-të.

Ai i bëri thirrje qeverisë amerikane të “ushtrojë presion mbi qeverinë pushtuese (izraelite) që të angazhohet seriozisht për arritjen e një marrëveshjeje”.

Leave a Reply