Zëdhënësi amerikan i Departamentit të Shtetit, Ned Price
Pas njoftimeve, sipas të cilave Rusia po lëviz trupa ushtarake në kufirin me Ukrainën, SHBA i kërkoi Moskës shpjegime.
Washingtoni, po ashtu është i gatshëm të angazhohet në lidhje me këtë situatë, tha të hënën departamenti i shtetit.
Njoftimet për lëvizjen e trupave në kufi me Ukrainën lindore janë kthyer në një burim të ri tensionesh në marrëdhëniet e ftohta SHBA-Rusi, më pak se tre muaj nga ardhja në pushtet e administratës së re amerikane. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha në një konferencë për shtyp se SHBA do të shqetësohej nga çdo përpjekje e Moskës për të frikësuar Ukrainën, qoftë për masa që ndodhin në territor rus apo brenda kufirit ukrainas. Ai nuk pranoi të thoshte nëse SHBA beson se Rusia po përgatitet të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë.
Price tha më pas për agjencinë e lajmeve “Reuters” se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “të hapura për angazhim me Moskën” lidhur me këtë situatë, duke i cilësuar të besueshme njoftimet për lëvizje të trupave ruse në kufirin me Ukrainën dhe në Krime, gadishulli që u aneksua nga Rusia në 2014. Lëvizjes së trupave, tha Price, i parapriu shkelja e armpushimit të 2020-ës me Ukrainën, që ka rezultuar në vdekjen e katër ushtarëve ukrainas dhe plagosjen e katër të tjerëve. “I bëjmë thirrje Rusisë të tregohet e frenuar dhe të shmangë aktet acaruese”, tha zëdhënësi.
Komentet e tij pasojnë një telefonatë të premten mes presidentit Biden dhe homologut ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në të cilën udhëheqësi amerikan e siguroi Zelenskin për “përkrahjen e patundur” të Amerikës në ballafaqimin me separatistët e mbështetur nga Rusia që kontrollojnë rajonin lindor të Donbasit.