Trupat e para amerikane, për përforcimin e aleatëve të NATO-s në Evropën Lindore, arritën më 5 shkurt në një bazë ushtarake në juglindje të Polonisë.
Këto trupa u dërguan në kohën kur grumbullimi ushtarak rus përgjatë kufirit me Ukrainën po vazhdon.
“Siç kemi njoftuar, elementet e para të grupit luftarak të brigadës nga Divizioni i 82-të i forcave ajrore të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara kanë arritur në Poloni”, tha një zëdhënës ushtarak i Polonisë.
Javën e kaluar, Uashingtoni tha se do të dërgonte afro 3,000 trupa shtesë në Poloni dhe Rumani për të mbrojtur Evropën Lindore nga pasojat e mundshme nga kriza në Ukrainë.
Më 3 shkurt, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se dislokimet do të përfshijë afro 2,000 trupa që SHBA-ja do të dërgojë në Poloni dhe Gjermani. Përveç këtyre trupave, afro 1,000 trupa të tjerë, që aktualisht gjenden në Gjermani, do të dërgohen në Rumani.
Afro 1,7000 ushtarë, kryesisht parashutistë nga Divizioni i 82-të i forcave ajrore do të dislokohen nga Karolina e Veriut në Poloni “në ditët në vazhdim”, ka thënë burimet nga ushtria amerikane.
Trupat e para amerikane arritën në Gjermani më 4 shkurt.
Rusia ka dislokuar më shumë se 100,000 trupa dhe makina të rënda ushtarake në afërsi të Ukrainës dhe në Krime. SHBA-ja thotë se Moska mund të jetë duke u përgatitur për një pushtim të Ukrainës.
SHBA-ja dhe aleatët evropianë kanë paralajmëruar Rusinë se do të përballet me sanksione të ashpra ekonomike, nëse pushton Ukrainën. Po ashtu, SHBA-ja dhe shtetet evropiane kanë thënë se do të dërgojnë më shumë armë për Ukrainën në rast të një pushtimi rus.