Një hetim katër-vjeçar ka zbuluar të dhëna “thellësisht shqetësuese” se si trupat elitare australiane vranë 39 të burgosur afganë.
Vrasjet ndodhen pas vendosjes së këtyre trupave në Afganistan, si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja për të luftuar talibanët.
Shefi i Forcës së Mbrojtjes australiane, gjenerali, Angus Campbell, tha se informacionet “e turpshme” dolën në bazë të një hetimi, gjetjet e të cilit u shpallën më 19 nëntor.
Në raport pretendohet për “shkeljet më serioze të sjelljes ushtarake dhe vlerave profesionale”.
Hetimi zbuloi pretendimet për trajtimin çnjerëzor të të burgosurve në Afganistan nga viti 2005 deri më 2016.
Raporti përshkruan raste kur ushtarëve të rinj u është thënë që të kryenin vrasjet e para të tyre duke qëlluar të burgosurit, një praktikë e njohur si “gjakderdhje”.
“Armë dhe gjëra tjera u vendosën pranë trupave afganë për të mbuluar krimet. Dy incidente shtesë mund të përbëjnë një krim lufte të kategorizuar si ‘trajtimit mizor’”, thuhet në raport, transmeton BBC.
Asnjë nga këto vrasje të pretenduara nuk mund të thuhet se janë bërë “gjatë betejës”, tha Cambell, duke folur para gazetarëve në Kanberra.
Hetimi u krye nga Paul Brereton, një gjykatës, që intervistoi më shumë se 400 dëshmitarë dhe shqyrtoi mijëra faqe dokumentesh.
“Brereton zbuloi se kishte informacion të besueshëm për të vërtetuar 23 incidente të pretenduara të vrasjeve të paligjshme të 39 personave nga ana e 25 pjesëtarëve të Forcave Speciale Australiane, kryesisht nga Regjimenti i Shërbimit Ajror Special (SAS)”, tha Campbell.
Raporti rekomandon që 19 ushtarë duhet të hetohen nga policia për akuza të mundshme, përfshirë vrasjen.
Campbell tha se ai kishte folur drejtpërdrejt me homologun e tij ushtarak afgan, për të shprehur keqardhjen e tij, dhe ka shprehur një kërkimfalje për popullin e Afganistanit.
“Në emër të Forcës Australiane të Mbrojtjes, unë sinqerisht dhe pa rezerva kërkoj falje për çdo keqbërje nga ushtarët australian”, tha Campbell.