Pas dy vite kërkim për të zhdukurin 35 vjeçar Arben Asllani nga Shkupi, trupi i tij i pajetë u gjet në ujërat e Lumit të Lepenecit, në lagjen Bardovcë të komunës së Çuçer Sandevës. Babai i tij Bekir Asllani thotë se trupi i pajetë është gjetur nga një banor lokal i cili ka njoftuar policinë. Asllani ndjehet i zhgënjyer nga institucionet të cilët sipas tij nuk ndërmorën masa për të gjetur se kush e ka marrë djalin e tij.
“Është gjetur me një kanall, trupi pjesërisht është prishur. Besim në institucione nuk kam por do të pres deri sa te del rezultati i obduksionit. Kanë mundur të hulumtojnë që sa kohë por ose s’kanë dashur ose s’kanë mundur ose aq kanë pasur mundësi ose dikush e ka ndërprerë që të mos hulumtohet”, deklaroi babai i Arbenit, Bekir Asllani.
Varrimi për Arbenin do të bëhet të dielën. Babai thotë se 50 % i është lehtësuar barra pasi mund të varros djalin e tij.
“50% më është lehtësuar varra që u gjet. E di ku e ka vendin dhe mundem me ia bë ritualet fetare. Pasi dy vite kemi qenë në ankth”, u shpreh Bekir Asllani.
TV21 para dy viteve raportoi për zhdukjen e Arbenit. Babi i tij rrëfeu se kamerat e sigurisë nëpër udhëkryqe kanë kapur djalin e tij se si hip në një veturë. Beqir Asllani disa herë organizoi protesta me familjarët tjerë të të zhdukurve për mosefikasitetin e MPB-së. Nga ky dikaster me qëndrim se kanë bërë gjithçka për kërkimin e personit ndërsa thonë se autopsia do të tregojë se si ka ardhur deri te vdekja e personit, gjegjësisht a është vrarë apo ka bërë vetëvrasje. Nga Prokuroria themelore publike thonë se po e presin raportin e autopsisë mbi trupin e të ndjerit me qëllim identifikimin dhe përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.