6 të vdekur në Turqi, ndihmë nga vendet fqinje
Zjarret masive i kanë shndërruar në ferr, brigjet jugperëndimore të Turqisë, parajsën e turistëve europianë e më gjerë. Turistët po braktisin hotelet dhe resortet e destinacionit të famshëm të Bodrumit, pasi qeveria urdhëroi evakuimin e tyre për shkak të zjarreve masive që për momentin është e pamundur të vihen nën kontroll.
Zjarret që kanë nisur prej të mërkurës u kanë marrë jetën 6 personave dhe kanë plagosur me qindra të tjerë. Deri më tani numërohen 107 vatra, 98 prej të cilave janë nën kontroll.
Flakët janë aq të mëdha sa duken qartë edhe në pamjet satelitore. Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan, gjatë vizitës në qytezën e Manavgatit premtoi se shkaktarët e zjarreve do të vihen shumë shpejt para ligjit.
Avionë nga vendet fqinjë si Azerbajxhani e deri nga Rusia po u vijnë në ndihmë mijëra trupave të zjarrfikësve. E teksa brigjet jugore e jug-perëndimore digjen, rajonet lindore po përballen me përmbytje. Kjo video tregon momentin e nxjerrjes gjallë të një vajze nga rrymat e ujërave të rrëmbyer.
Me situatë të vështirë nga zjarret po përballen edhe brigjet perëndimore greke në rajonin e Peloponezit, ku qindra banorë të fshatrave në rajonin e Akejës janë evakuuar.